Daut Haradinaj nga AAK-ja në Blic Interview me Astrit Gashin ka folur rreth këshillave të ndërkombëtarëve që ia dhanë kryeministrit Kurti në raport me Serbinë.
Haradinaj thotë se, asnjë këshillë e tyre nuk është marrë parasysh nga kryeministri Kurti, madje sipas tij, ndërkombëtarët edhe janë gënjyer nga ky i fundit.
Në këtë rast ai përmend ndërhyrjen e policisë në veri, ku thotë se ky është veprim pas shpinës së tyre.
“Ne nuk jemi sjell konform këshillave të ndërkombëtarëve, ne kemi shkuar deri në atë shkallë që në shumë raste edhe i kemi rrejt, psh në Ohër kemi marrë obligimin për formimin e Asociacionit, për targat, për zgjedhje, për ndërhyrjen e forcavë në veri ne kemi vepruar pas shpinës së tyre, ata këtë e kanë parë në lajme. Ne nuk mund të sillemi se kur kemi nevojë e prekim pullën e Amerikës, kur nuk kemi veprojmë vetë”, tha ai.
“Nuk është servilosje në rast se ne i marrim ato këshilla, i trajtojmë me kujdes të shtuar dhe i zbatojmë në teren. Ato këshilla që kanë ardhë prej Washingtonit, nuk ka qenë asnjë herë të dëmshme për Kosovën”, tha ai.
Haradinaj ka përmendur kohën kur ka qenë vetë deputet ku thotë se këshillat e Amerikës kanë qenë më të fuqishme se sa mendimi i tij personal.
“Edhe unë kam qenë deputet, nuk është që jam pajtuar gjithmonë me këshillat e ndërkombëtarëve, por kur ka ardhë një përfundim, argumentet e palës amerikane kanë qenë gjithmonë më të fuqishme se sa vizioni im, si një djalë luftar që ka qenë në Luftën e Kosovës”, tha Haradinaj.
“Duhet të gjejmë vullnet dhe të rrisim bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar”, shtoi ai.


