Gjenerali në pension Rrahman Rama ka treguar se qëllimi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë çlirimi i vendit nga robëria, ndërsa UÇK-ja është ndërtuar mbi baza shoqërore dhe familjare.
Ai ka përshkruar eksperiencën e tij të veçantë si pjesë e familjes së Adem Jasharit, ku hapat e parë i ka marrë pikërisht me këtë familje, duke bashkuar idealet, aksionet dhe ushtrimet e përbashkëta.
Ai ka kujtuar lidhjet familjare me Adiljen dhe Zarifën, gratë e Adem dhe Rifat Jasharit, dhe ka treguar për kohën e kaluar së bashku, ushtrimet, aksionet dhe sfidat që i kanë formuar si njerëz dhe luftëtarë.
“Qëllimi kryesor ka qenë që të lirohemi prej robërisë. UÇK-ja është formuar mbi baza shoqërore dhe familjare. Unë, e kam pasë fatin që kam qenë pjesë e familjes së Adem Jasharit dhe hapat e parë i kam marrë me atë familje. Qëllimi kryesor i asaj kohe ka qenë që ne ta zgjerojmë rrjetin dhe secili prej neve ka pasë obligim dhe qëllim që ta rris UÇK-në”, tha ai.
“Në atë kohë ne kemi pasë lidhje me të gjitha grupet e Kosovës, edhe pse ka qenë shumë sekrete, dhe qëllimi ka qenë që të fillojmë të bëjmë diçka për familjet tona e shoqërinë”, shtoi Rama.
Gjenerali Rama ka shtuar se pavarësisht sfidave dhe kujtimeve nostalgjike, ai i mban ato për vete dhe ndihet i mirënjohur ndaj familjeve që i kanë hapur derën në kohën më të vështirë, duke formuar themelet e rezistencës dhe idealit për një Kosovë të lirë.
“Ne kemi pasë shumë sfida, e kemi shumë kujtimë që na sjellin nostalgji, por nuk kishim dashtë me i kujtu dhe dua t’i mbajë për vete. Kemi jetuar në familje të ndryshme, që na kanë hap derën në kohën më të vështirë dhe do tiu jem mirënjohës tërë jetën”, tha Rama për dokumentarin Expose, prodhim i GazetaBlic.
Intervista e plotë:

