• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Fadil Aliu: Mësimi në shtëpinë time, arma e hakmarrjes ndaj serbëve gjatë okupimit

01/25/2025 16:14
nga:G C

Fadil Aliu, njëri nga pasardhësit e famijes Hertica që dha një kontribut të madh për arsimin shqip, tregon për Expose, prodhim i GazetaBlic, se e kujton shumë mirë periudhën e vështirë të asaj kohe.

Ai ishte njëri prej shumë nxënësve që u detyruan të vazhdonin mësimin në kushte të jashtëzakonshme, duke bërë shkollim në shtëpi, saktësisht në oborrin e shtëpisë së tij.

Aliu theksoi se vullneti për të mësuar nuk ka munguar kurrë. Sipas tij, mësimi ishte mënyra e vetme e hakmarrjes ndaj agresorit serb dhe një armë e fuqishme për të mbijetuar dhe përballuar dhunën.

“Unë kam qenë nxënës i shkollës së mesme ekonomike ‘Hoxhë Kadri Prishtina’, kam qenë në vitin e dytë, nuk na lejonin të hynim në shkollat tona. Pas shumë protestave, u vendos që mësimi të mbahej në shtëpi. Si fëmijë, e kishim mundësinë që të shkonim në shkollë brenda oborrit të shtëpisë,” tha ai.

Aliu e kujton periudhën e mësimit në shtëpi si një periudhë të papërshkrueshme motivimi.

“Në momentin që filluam që mësimin ta mbajmë nëpër shtëpi, filluam një ritëm më të shpejtë të mësimit dhe ka qenë një motiv i jashtëzakonshëm për të mësuar, përballë agresionit të Serbisë. Mënyra e hakmarrjes për të gjitha ato që agresori serb na ka bërë ka qenë mësimi,” shpjegoi ai.

Pas disa vitesh, familja Aliu u detyrua të merrte një vendim të rëndësishëm për shtëpinë e tyre.

“Më 30 mars, kjo shtëpi është djegur sepse ka qenë e dekoruar komplet nga druri. Në shtator të vitit 1999, babai iu tha shkollës ‘Sami Frashëri’, kjo shtëpi kishte qenë kismet për të trashëguar ju dhe kjo është e juaja, por ata vendosën që t’ia dorëzojnë shtetit.”

Ai shtoi: “Ne këtë shtëpi ia kemi falë komunës së Prishtinës, me kushtin që mos t’i ndërrohet destinacioni asnjëherë, kjo është monument i mbijetesës së arsimit shqip gjatë viteve të 90-ta.”

Intervista e plotë: