Deputeti i VV’së, Enver Dugolli ishte i ftuar i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin ku foli për planin e Serbisë, ku siç thotë ai u shpartallua në mënyrë përfekte nga Policia e Kosovës.
“Serbia ka kalkuluar dhe nuk i kanë dalur ato kalkulime që do ta aktivizon elementin civil, pra serbët lokal do t’i bashkangjiten këtij formacioni. Nuk arriti dhe nuk pati kohë, reagimi i shpejtë i PK-së e shpartalloi atë planin që ishte i detajuar”, tha Dugolli.
Dugolli tregon llogarinë që iu doli gabim serbëve gjatë aksionit të tyre në Banjskë.
“E para, ata kanë dashtë ta ndrrojnë realitetin në veri të Kosovës duke marrë e kontrolluar territore, kanë menduar që KFOR-i do të hyjë në mes dhe nuk do ta lejojë Policinë e Kosovës që të zbatojë ligjin. Kjo është llogaria gabim që e kanë bërë ata, sepse KFOR-i këtu është me mandat tjetër dhe nuk e pengon Republikën tonë që ta zbatojnë ligjin”, tha ai.
Tutje, Dugolli përmendi pak edhe deklaratat e ndërkombëtarëve, veçanarisht të ambasadorit amerikan ku tha se deklarata e tillë ishte sinjali i parë që Bashkësia Ndërkombëtare e ka kuptuar tentimin e Vuçiqit për të ndryshuar gjendjen në veri të Kosovës me luftë.
“Deklarata e ambasadorit amerikan ishte sinjali i parë që Bashkësia Ndërkombëtare e ka kuptuar tentimin e Vuçiqit për të ndryshuar gjendjen në veri të Kosovës me luftë. Shfaqja e atyre pamjeve të atij grupi, mendoj se ka qenë pikënisja e dështimit të planit që kishin bërë, sepse atyre nuk ia mori mendja që niveli i kapaciteteve të institucioneve tona ka shkuar deri aty”, tha Dugolli.
“Kjo ishte një suprizë jo e këndshme për ta, për ne dhe Bashkësinë Ndërkombëtare është një sukses i jashtëzakonshëm”, shtoi tutje Dugolli në Blic Interview.