Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka kritikuar Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, duke theksuar se Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese kanë vlerësuar se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe kufizon liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
Kështu u shpreh Miftaraj në një intervistë dhënë për Expose.
“Nuk është vetëm që Gjykata Kushtetues e ka trajtu këtë, Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, është edhe Komisioni i Venecias i cili dy herë e ka trajtu të njëjtin ligj dhe në të dy rastet, së paku në rastin e parë kishte gjetur që Ligji në tërësinë e tij jo vetëm që ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës por edhe kufizonte liritë dhe të drejtat e personave të cilët mund të jenë subjekt i këtij ligji. Për më tepër, mekanizmat të cilët do t’a zbatonin këtë ligj ishte nënkutuar se në bazë të ligjit të jenë të politizuara dhe kështu nuk garantonin një institucion me integritet. Nuk duhet harruar fakti që përveç Gjykatës Kushteteuse kishte kritika edhe nga partnerët ndërkombëtarë nga shoqëria civile”, tha Miftaraj.
Miftaraj tutje tha se, IKD ka bërë dy herë analizën e draft-ligjeve ku rezultoi që ka shkelje të mëdha ligjore e kushtetuese.
“Si Institut i Kosovës për Drejtësi kemi bërë dy herë analizën e draft-ligjeve dhe fatkeqësisht mund të them që draft-ligji i parë i cili ishte konstatuar nga Komisioni i Venecias që i cënon liritë dhe të drejtat e njeriut, ne kishim gjetur që afërsisht 90% e ligjeve ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet bazë të sundimit të ligjit, me parimet bazë që promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Edhe reagime kemi patur nga partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët kishin shprehur brengat se ‘nëse një ligj i tillë do të miratohej në atë mënyrë nuk do të garantonte parimet e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë por edhe do të cënonte të drejtat dhe liritë e njeriut'”, tha Miftaraj.
Miftarja për “Expose” thotë se krejt këto ligje po bëhen për qëllime të caktuara nga partia në pushtet.
Madje, Miftaraj tha se sipas një analize të Institutit të Kosovës për Drejtësi, gjatë vitit të kaluar, kjo qeveri është përballur me numrin më të madh të ligjeve të dërguara në Gjykatën Kushtetuese që nga shpallja e Pavarësisë, duke pasur gjithashtu rekord në rrëzimin e ligjeve nga ky institucion.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi vitin e kaluar në kuadër të ‘Javës kundër-Korrupsion’ kishte bërë një analizë lidhur me numrin e ligjeve që ishin dërguar në Gjykatën kushtetuese prej Spalljes së Pavarësisë e deri në fund të vitit 2023. Në bazë të kësaj analize del që kjo është Qeveria e cila është përballuar me më së shumti ligje të dërguara në Gjykatën kushtetuese ose është Qeveria të cilës i ishin rrëzuar më së shumti ligje nga Gjykata Kushtetuese”, tha Miftaraj.