Nga partia në pushtet, megjithatë e kanë një shpjegim pse ministrat po dështojnë në realizimin e projekteve kapitale, raporton Gazeta Blic.
Deputetja e Listës “Guxo”, Jeta Statovci ka theksuar për “Expose” se një prej pengesave në realizimin e projekteve kapitale e zhvillimore është edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit.
Statovci e ka edhe një arsyetim tjetër për këtë dështim të Qeverisë, sidomos për nëntë muajt e fundit. Sipas saj, shumica e buxhetit shpenzohet në tre muajt e fundit.
“Padyshim që çështja e investimeve në përgjithësi është e lidhur dukshëm edhe me investimet dhe zhvillimit të përgjithshëm ekonomik. Në kuadër të mbështetjes buxhetore, të gjitha ato që ishin të parapara në kuadër të programit qeverisës dhe programit të prezantuar si program politik kanë gjetur mbështetje edhe përmes buxhetit të cilat reflektojnë edhe në buxhet, të gjitha zotimet tona politike”.
Sipas saj, çështja e investimeve kapitale është mbështetur dukshëm edhe me buxhet, ku për vitin 2024, 1 e katërta e buxhetit i dedikohet këtij spektri në të cilin hyjnë investimet në nivelin lokal por gjithashtu edhe investimet të cilat realizohen nga niveli qendror.
“Situatë të ngjashme kemi pasur edhe për vitin 2023, ku rreth 820 milionë i janë dedikuar çështjes së investimeve kapitale. Në kuadër të këtyre planifikimeve buxhetore për vitin 2023 ne po shpresojmë qe shpenzueshmëria në kuadër të investimeve kapitale të jetë rreth 500 milionë euro”. thotë ajo.
Statovci thotë se parimisht që çështja e e shpenzimit të mjeteve reflekton më së shumti në 3 muajt e fundit të vitit.
“Ne e shohim që një pjesë e kontratave janë edhe kontrata të trashëguara, një pjesë e kontratave është dashur që të rishikohen, ka pasur procedura të cilat kanë paraqitur barriera në kuadër të OSHP-së, ku shumë kontrata të nënshkruara janë aktualisht në trajtim e sipër nga OSHP-ja dhe kjo e pengon edhe dinamikën e punës dhe çështjet e tjera që është dashur të rishikohen”.