“Expose” prodhim televiziv i portalit “Gazeta Blic” ka transmetuar një dokumentar lidhur me mundësitë e përhapjes së një konflikti të ri në Ballkan, pas luftës Rusi – Ukrainë.
Sipas përfaqësuesve politik në vend, një konflikt i ri në Veri supozohet të jetë i pashmangshëm.
“Fatkeqësisht pas 24 shkurtit agresioni të Rusisë mbi Ukrainën, asgjë më nuk është e njëjtë, gjithçka mund të pritet, duke u bazuar në këtë situatë institucionet tona kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, tani për tani situata është nën kontrollë, për kundër sinjaleve publike dhe atyre me të fshehura, se Serbia ka dërguar ftesa për mobilizim të rezervës, ne e kemi detektuar këtë zhvillim dhe jemi në përcjellje të situatës për të mos u befasuar me asgjë, për shkak se siç e kanë thënë edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë, nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe ndonjë tjetër tentim të Rusisë përmes Serbisë që të shkaktojë ndonjë konflikt siç është në Bosnje apo në një vend tjetër”, ka thënë për Expose Enver Dugolli, deputet nga radhët e VV-së.
“Me të drejtë njerëzit po kanë frikë se kjo luftë mund të prodhojë një konflikt dhe unë mendoj se në aspektin e sigurisë Evropë kurrë nuk do të jetë siç ka qenë edhe në Ballkan në këtë kontekst mendoj se është mjaft fragjil. Nuk pres trazira në shkallë të lartë, por institucionet tona duhet të ngrisin kapacitetet që situata të jetë e qetë në mbarë vendin dhe Ushtria e Kosovës duhet ti ngritë kapacitetet operacionale që të jetë e gatshme të veprojë në rast të ndonjë kërcënimi që vjen nga jashtë”, ka thënë për Expose Rashit Qalaj, deputet nga radhët e PDK-së.
Më poshtë mund ta ndiqni dokumentarin e plotë: