• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Demhasaj “zbulon” dy skenarët e mundshëm për formimin e qeverisë, s’e përjashton bashkëpunimin e VV’së me minoritetet serbe

1 muaj më parë
nga:G C

Arton Demhasaj, kandidat i AAK-NISMA për deputet,  ka theksuar se pas qëndrimeve të prera të partive opozitare për të mos hyrë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ekzistojnë dy mundësi për krijimin e qeverisë.

E para është formimi i një qeverie nga Vetëvendosja me minoritetet serbe ose joserbe, ndërsa e dyta, nëse Vetëvendosja dështon, është që presidentja t’i japë mandat për formim të qeverisë Partisë Demokratike të Kosovës, e cila mund të arrijë shumicën parlamentare me opozitën dhe komunitetet joserbe.

“Përderisa ka qëndrime të prera të partive opozitare që nuk hyjnë në asnjë koalicion me partinë në pushtet, pra me Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë mund të jenë dy skenare të ndryshme. Ose formohet qeveria nga Vetëvendosja me minoritetet serbe ose me minoritetet tjera joserbe, ose pastaj, nëse dështon Vetëvendosja që kur merr mandatin për formimin e qeverisë, sepse nuk mund të krijojë shumicën e kërkuar parlamentare, atëherë presidentja është e obliguar, sipas bazës kushtetuese, që mandatin t’ia japë partisë së dytë, e cila në këtë rast është Partia Demokratike”, tha Demhasaj.

“Pastaj, Partia Demokratike mund të arrijë të krijojë shumicën parlamentare me partitë opozitare dhe eventualisht me komunitetet joserbe, duke mundësuar krijimin e qeverisë. Pra, janë këto dy mundësi, tash mbetet të shihet se si do të shkojë tutje, por gjasat janë më të mëdha për krijimin e një koalicioni mes partive opozitare dhe komuniteteve joserbe për të formuar një qeveri stabile, pasi ka numra të mjaftueshëm për të qeverisur”, shtoi ai.

Demhasaj për “Expose”, prodhim i GazetaBlic shton se gjasat janë më të mëdha për një koalicion mes partive opozitare dhe komuniteteve joserbe për të krijuar një qeveri stabile.

Ai gjithashtu theksoi që Aleanca e Ramush Haradinajt ka qëndrim të qartë për të mos bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje, duke i kundërshtuar fyerjet që lideri aktual Albin Kurti ka bërë ndaj partive opozitare.

“Aleanca, edhe para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, ka pasur një qëndrim të qartë nga lideri Ramush Haradinaj, që në asnjë rrethanë nuk do të bashkëpunojë me një parti që ka keq-qeverisur këtë vend për katër vjet. Aleanca është e hapur për opsione për të bashkëpunuar me partitë opozitare”, shtoi ai.

“Është e pasinqertë të mendohet që cilado prej partive opozitare mund të hyjë në koalicion me kryeministrin aktual, Albin Kurti, për aq kohë sa ai menjëherë pas zgjedhjeve, dhe pas fillimit të publikimit të rezultateve, i ofendoi dhe i fyu partitë opozitare duke i quajtur “hajvanë”. Tash, a mund të bashkëpunojë dikush me dikë që i ka quajtur hajvanë? Kjo është e padiskutueshme që nuk mund të bisedohet dhe kjo gjithashtu tregon që Albin Kurti nuk është i interesuar të bashkëpunojë me partitë opozitare, derisa ai përdor një fjalor të tillë ndaj liderëve dhe partive opozitare”, tha Demhasaj për GazetaBlic.