Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini ka komentuar një nga një nenet që janë në propozimin franko gjerman, raporton Gazeta Blic.
Sipas tij, në nenin 7 parashihet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por nëse ky nen do të jetë i dëmshëm apo jo, vlerëson se kjo do të varet krejtësisht nga sjellja e Qeverisë në raport me serbët e Kosovës.
Për nenet tjera, vlerëson se do të varet nga Serbia se si do të veprojë në rrafshin diplomatik ndërkombëtar.
“Çështja e parë që duhet të them është se ka ndodhur negocim edhe kanë qenë dy palët në tavolinë dhe ndërmjetësuesit. Herën e fundit jo s`ka pas negocim, por me herët dhe ka pasur shumë takime. Nuk po flas për negocime për takimin e fundit, as në dy – tri takimet e fundit. Do të thotë, hartimi i këtij dokumenti nuk ka dal për një ditë, është punuar për më shumë se një vit, gjatë këtij procesi shumë palë kërkojnë që ta kenë një fjali që të ndihen më mirë, ose pe them, më falni për shprehjen, për ta shitur më lehtë te populli i vet, ka edhe këso elemente, por që nuk e cenojnë përmbajtjen, nuk e cenojnë kornizën bazë të marrëveshjes edhe janë futur”, tha ai, raporton Gazeta Blic.
Gjini e ka paralajmëruar Qeverinë Kurti që të ketë kujdes me pikën 7 të planit franko- gjerman.
“Unë e kam parë 15 herë (planin) dhe kurrë më shumë se atë dokument nuk kam lexuar, veç për ta parë se çka po me vjen edhe njëherë për ta skanuar. Ka pika problematike, jo vetëm pse janë aty, por ka pika aty që mund të shndërrohen në problematika, varësisht prej rrethanave që kemi për të gjetur, për të dyja palët. Mund të shndërrohet ne problematike, pika 7 ose neni 7, nëse Kosova nuk dinë të sillet me pakicat në të ardhmen, por mund të shndërrohen pikat 2, 3 4, 5 për Serbinë, nëse Serbia nuk dinë të sillet në marrëdhënie ndërkombëtare. Nuk është ky dokument që e kemi parë , po flasim për anekset, se do të ketë më shumë anekse , ka shumëçka për t`u shtjelluar aty, nuk është vetëm Asociacioni. Besoni se do të ketë anekse shtesë, për shkak se ka shumëçka që duhet të shtjellohet, një fjali në këtë dokument mund t`i nxjerr 15 faqe shpjegim në të ardhmen. Pika e fundit ku thuhet se Kosova dhe Serbia, zotohen se duhet respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura, e ka bërë pikën 7 gati të panevojshme, se në pikën 11, thuhet se të gjitha marrëveshjet duhet implementuar, aty është edhe AKS. Sipas të gjitha gjasave, pika 7, është për shkak se palët kanë insistuar për me pas diçka që shitet në publik…”, tha Gjini.