• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Burim Ramadani: Serbia theu Marrëveshjen e Kumanovës, rrezikoi edhe ushtarët e KFOR-it – duhet të japë përgjegjësi

09/29/2023 21:54
nga:G B

Ish kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, në një intervistë për BlicInterview me Astrit Gashin, derisa ka folur për zhvillimet në veri të vendit, ka thënë se adresimi i përgjegjësisë për sulmin terrorist duhet të bëhet direkt të Serbia, pasi nëse nuk bëhet kjo, do të ketë sërish tentime për sulme të njëjta.

“Do të varet jashtëzakonisht shumë si do të adresohet përgjegjësia e asaj që ka ndodhur. Mendoj se adresimi i përgjegjësisë direkt te Serbia, aty ku vërtetë ekziston përgjegjësia për organizimin e trajnimin për këtë grup terrorist, që për mua është paramilitar i Serbisë, i cili kryen akte terroriste dhe nëse nuk adresohet saktë përgjegjësia, situata do të risjellet do të rikthehet në tentime për të bërë të njëjtën, qoftë prej atyre që mendojnë vetëm për hakmarrje, qoftë prej atyre që duan të riorganizojnë dhe të tregojnë se shteti i Serbisë nuk mund të dështojë ashtu sikurse dështoi herën e parë”, thotë ai.

Ramadani thekson se nëse Vuçiq, Vulin e struktura e sigurisë në Serbi nuk jep përgjegjësi, do të sfidohemi nga grupe që do ta sfidojnë Kosovën e NATO-n në vazhdimësi.

“Pra, nëse adresohet përgjegjësia saktë te Vuçiqi, Vulini e strukturat e sigurisë dhe kërkohet nga Serbia me kushtëzim të qartë nga bashkësia ndërkombëtare për një varg veprimesh për të cilat do të shpjegohen në ditët në vijim, atëherë situata mund të qetësohet nëse ka përgjegjësi. Nëse s’ka përgjegjësi do të sillemi në një rreth të grupeve të caktuara të cilat nuk mund ndoshta asnjëherë ta pushtojnë Kosovën por ta sfidojnë Kosovën e NATO-n në vazhdimësi”, vlerëson ai në BlicInterview.

Ai shprehet i lumtur që tashmë grupi po cilësohet si terrorist, pasi në fillim u cilësua vetëm si bandë e armatosur.

Ai përmend Marrëveshjen e Kumanovës që thotë se është thyer nga Serbia.

“Unë jam i lumtur që ka filluar të evoluojë vlerësimi për grupin. Së pari ju kujtohet mëngjesin e të dielës, grupi u cilësua si kriminal, pastaj si bandë e armatosur. Tashmë janë shtuar zërat pastër ose cilësimet për grup terrorist e po ashtu janë shtuar indikacionet për cilësim të lidhjes së drejtpërdrejtë me Serbinë dhe sektorin e sigurisë në veçanti. Pra, unë besoj që pas pak ditësh do të dalë cilësimi i saktë grup paramilitar që po kryen akte terroriste. Po flas, nga partnerët dhe mbi të gjitha NATO sepse kjo do të jetë thelbi se si do të trajtohet edhe përgjegjësia. Serbia ka një kontratë të sigurisë me NATO-n, ajo është Marrëveshje Tekniko-Ushtarake ose asaj që i themi Marrëveshja e Kumanovës, pra nuk po flasim për marrëveshje diplomatike të bashkëpunimit, veprimit, komunikimit, është kontratë e sigurisë dhe kjo absolutisht është thyer. Absolutisht Serbia përmes grupit terrorist ka kryer sulm terrorist duke tentuar terrenin ta merr përmes këtyre grupeve dhe pastaj ndoshta në një të ardhmen të afërt t’i ndihmojë me forcat e rregullta ushtarake”, potencon Ramadani.

Ish kryeinspektori i AKI-së shton se kjo thyerje e marrëveshjes tejkalon nivelin mes çështjeve të sigurisë apo politike Kosovë-Serbi dhe se Serbia përmes këtij grupi terrorit ka rrezikuar direkt edhe ushtarët e NATO-s.

“Unë besoj se NATO do të duhej dhe është besoj në fazën e vlerësimit të saktë të të gjitha elementeve në mënyrë që të rikthehet ajo që duhet të bëhet, që është rivlerësimi i zbatimit të marrëveshjes tekniko-ushtarake NATO-Serbi dhe duke kërkuar një listë të madhe pyetjesh profesionale për Serbinë dhe për strukturat e sigurisë në Serbi, një prej tyre mund dhe duhet dhe do të jetë siguria e kazermave ushtarake të Serbisë. Ato armë dhe ai arsenal i cili nga vendi ku janë gjetur, rrezja e veprimit ka mundur ta godasë edhe kampin Nothing Hill të KFOR-it. Pra, Serbia përmes këtij grupi paramilitar ka rrezikuar direkt edhe ushtarët e NATO-s. Kjo temë e tejkalon nivelin mes çështjeve të sigurisë apo politike Kosovë-Serbi, kjo është po ashtu Serbi-NATO, Serbi-destabilitet rajonal dhe një numër i madh i shteteve edhe të NATO-s e kanë ndihmuar Serbinë, ushtrinë serbe me armatim, edhe me pajisje të komunikimit dhe normalisht që ato do të duhet dhe jam i bindur se do ta qartësojnë se cili është përdoruesi i fundit. A kanë mundur armët dhe sistemet e pajisjeve të NATO-s të përfundojnë në grupe terroriste paramilitare. Gjasat serioze janë që ato armë janë marrë direkt nga ushtria e Serbisë për të cilën asnjëherë nuk e ka raportuar që një kazermë e ushtrisë është thyer, vjedhur apo ka bankrotuar sistemi zinxhiri komandues dhe kjo lidhet me përgjegjësinë e Serbisë pastaj”, thotë Burim Ramadani./Gazeta Blic/