Lulzim Beqiri, ekonomist, për “Expose”, prodhim i GazetaBlic ka analizuar ndikimin e luhatjeve të inflacionit në ekonominë e Kosovës, duke vënë theksin te pasiguria që ka krijuar ky fenomen.
Sipas Beqirit, në pesë vitet e fundit, inflacioni ka kaluar nëpër ndryshime të mëdha – nga një rënie drastike në vitin 2020 deri në një rritje alarmante në vitin 2022, e cila arriti kulmin si pasojë e ngjarjeve globale të pandemisë dhe luftës në Ukrainë.
“Në bazë të statistikave, në pesë vitet e fundit ka një luhatje të jashtëzakonshme të inflacionit, për shembull në vitin 2019 kemi inflacion 2.69%, pastaj kemi një rënie drastike në vitin 2020 me 0.20%, kemi një ngritje të hatashme në vitin 2022 për shkak të pandemisë dhe luftës në Ukrainë, deri në 13%.Një stabilitet të inflacionit e kemi në 2024 me 3%, kjo sigurisht që konsumatorin kosovar e lë në një situatë të sikletshme”, tha Beqiri.
Sipas Beqirit, tre faktorët kryesorë që kanë nxitur këtë situatë janë pandemia, lufta në Ukrainë dhe rritja e kostos së energjisë elektrike, të cilat kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e jetesës për qytetarët e Kosovës.
Një tjetër shqetësim që ai ngriti ishte pasiguria e investimeve në vend, duke theksuar se asnjë biznes nuk do të investojë në një ekonomi ku luhatjet e inflacionit janë të mëdha dhe të paparashikueshme.
Sipas Beqirit, qeveria e ardhshme duhet të fokusohet në zhvillimin ekonomik dhe mbështetje të fortë për biznese prodhuese, për t’i dhënë shtysë ekonomisë dhe për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm për investitorët.
“Kosova po e përballon këtë rrije shumë keq, praktikisht sipas statistkave zyrtare kemi ulje të inflacionit, por kemi rrije të cmimeve. Pra, me uljen e inflacionit jodomosdoshmërisht ulen edhe çmimet”.
“Kosova nuk ka përdoruar mekanizma që do ta ndihmonin konsumatorin kosovar, në anën tjetër është edhe një pasiguri e investimeve sepse asnjë biznes nuk investon në një vend ku ka luhatje kaq të mëdha të inflacionit. Fokusi kryesor i qeverise do të duhet të jetë zhvillimi ekonomik i Kosovës, vecanarisht mbështetja e bizneseve prodhuese. Viti i qeverisë së re do të duhet të jetë vit i zhvillimit ekonomik, sepse po ballfaqohemi me cmime të larta, ne kemi pas një ligj që është miratuar në Kuvend, por është rrëzuar nga Kushtetuesja për çmimin tavan”, tha Beqiri për “Expose”, prodhim i GazetaBlic.