Hajdar Beqa, deputet i PDK-së, ka kritikuar ashpër qeverinë e kryeministrit Albin Kurti për dështimin në luftën kundër korrupsionit dhe për ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë.
Ai ka theksuar se një kryeministër nuk ka të drejtë të ndalojë emërimin e prokurorëve të lartë, duke e cilësuar këtë një shkelje të pavarësisë së gjyqësorit.
Beqa ka shtuar se, përkundër deklaratave të shumta, qeveria nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për të luftuar korrupsionin, ndërkohë që shumë ministra janë nën hetime dhe kanë aktakuza. Ai ka theksuar se Kosova ka ligje të mira që duhet të zbatohen dhe ka apeluar për ruajtjen e balancës kushtetuese në ndarjen e pushtetit.
“Kjo Qeveri ka dështuar në luftim të korrupsionit, ka dështuar në sundim të ligjit. Ka pasë interferime, psh një kryeministër nuk ka ndodhë që në të kaluarën të thotë se derisa “unë jam në pushtet nuk bëhet ai ose ky kryeprokuror”. Nuk di si duhet të luftohet korrupsioni kur Qeveria përzihet në kompetenca të gjyqësorit. Nuk mund të luftohet korrupsioni me ushtreus detyre. Kemi shumë ministra që janë nën hetime, kanë aktakuza. Kemi parë deklarata, por jo veprime nga kjo qeveri. Kosova ka ligje të mira dhe duhet të zbatohen, por duhet të ruhet balance kushtetues i ndarjes së pushteti”, tha Beqa për GazetaBlic.