Gazetari Besian Beha ka thënë se pas ardhjes në pushtet të Donald Trumpit, ka pasur një stepje në Gjykatën Speciale.
Beha për “Expose”, prodhim i GazetaBlic përmendi se në një takim të dhjetorit, kryetarja e Gjykatës Speciale dhe diplomatë të ndryshëm janë përballur me biseda për mundësinë e shfuqizimit të Gjykatës dhe lirimin e Hashim Thaçit, duke cituar deklaratat e Richard Grenell. Megjithatë, ai shprehu dyshime nëse kjo mund të realizohet dhe theksoi se si gazetar, nuk do ta mbështeste një nismë të tillë.
“Në Gjykatën Speciale ka pasur një stepje, pas ardhjes në pushtet të Donald Trumpit. Madje, unë edhe kam raportuar që në takimin e dhjetorit që mbahet nga kryetarja e Gjykatës Speciale me diplomat e prokurorët, janë përmendur edhe deklaratat e Richard Grenell për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe lirimin e Hashim Thaçit, por sa mund të realizohet kjo, unë e shoh me shumë dilemë, por edhe si gazetar nuk do ta pëlqeja”, tha Beha.
“Shumë më mirë do të ishte që ky proces që ka nisur me kaq shumë dilema dhe shkelje që janë konstatuar edhe prej juristëve, të shkojë deri në fund. Nuk shoh ndonjë mekanizëm që mund ta shfuqizonte Specialen. Unë, e shoh të duhur që edhe SHBA edhe BE të kujdesen për një proces të drejtë, që i respekton të drejtat e njeriut”, shtoi ai.
Ai gjithashtu raportoi për zhvillimet në procesin gjyqësor, duke thënë se pjesa e paraqitjes së provave të Prokurorisë është drejt fundit dhe do të përfundojë deri në mes të muajit prill.
Beha njoftoi se avokatët e krerëve të UÇK-së pritet të paraqesin një mocion për rrëzim të aktakuzës, duke pretenduar se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë akuzat.
“Pjesa e paraqitjes së provave të Prokurorisë është drejt fundit, do ta kemi mesin e muajit prill kur ata do t’i paraqesin të gjitha provat që i kanë. E kemi parë që janë duke i paraqitur provat për zona të caktuara të UÇK-së, pjesa e dëshmitarëve gjithashtu është në fund, do të thotë që i bie pas dy vitesh, Prokuroria e ka përfunduar rastin e vet” tha Beha.
“Është shumë e rëndësishme që ta sqarojmë se tash pritet që avokatët e krerëve të UÇK-së të paraqesin një mocion për rrëzim të aktakuzës, sepse në këndvështrimet e avokatëve, Prokuroria nuk ka arritur ta vërtetojë në asnjë mënyrë, asnjë nga pikat e aktakuzës.”
“Nëse ky mocion hidhet poshtë, i bie që më pas do të jetë radha e mbrojtjes për t’i paraqitur provat dhe dëshmitarët e vet. Nëse, vazhdon me një numër të caktuar të dëshmitarëve, mund të themi që mundet me zgjatë deri në fillim të vitit të ardhshëm”, përfundoi ai.
Intervista e plotë: