• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Befasi ngritja e VV-së e rënia e LDK-së”/ Analisti: Diskutabile mbetet çështja e presidentit

01/12/2026 15:40
nga:G B

Analisti politik Shemsi Jashari, për Expose ka thënë se rezultati nuk ka qenë i pritshëm, pasi Vetëvendosje me gjithë ato skandale e pak rezultate s’është pritur të ketë një rezultat të tillë.

“Rezultat jo i pritshëm, ndonëse me indikacione që VV del e para, në këtë pjesë nuk ka pasur dilemë askush, por jo me këtë rezultat që doli, pra një qeveri më ato pak rezultate, me gjithë ato skandale që kanë qenë aktive të ministrave e të digastereve të qeverisë së VV-së, të arrijë ta rritë votën. Po duket që efekti diasporë e ka bërë të veten dhe e kemi këtë rezultat që e kemi”, është shprehur ai.

Për të, befasi ka qenë ngritja e madhe e VV-së dhe rënia e LDK-së, teksa tregon dhe faktorët që mund të kenë ndikuar në këtë rezultat, teksa si kryesor përmend diasporën.

“Në fakt ka ndodhur dy befasi, rritja e VV-së dhe rënia drastike e LDK-së. Duket që elektorati ka lëvizur nga VV në LDK, ose është një çështje tjetër që ka ndikuar është që shumë votues rezidentë kanë udhëtuar për festa jashtë Kosovës, e që sipas të dhënave nga kufijtë janë mbi 360 mijë qytetarë që e kanë lëshuar Kosovën vetëm javën e fundit të vitit, ndërsa kemi pasur diku 560 mijë qytetarë që kanë ardhur nga diaspora në Kosovë, që duket tashmë që e mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje, diaspora ka qenë shumë e entuziazmuar për të ardhur në Kosovë dhe për të votuar, përderisa, partitë opozitare nuk kanë arritur ta mobilizojnë votuesin e vet dhe ka zgjedhur që pushimet e fundvitit t’i kalojë jashtë vendit, përjashto këtu edhe një numër që nuk kanë dalë për të votuar në ditën e zgjedhjeve, për arsye të ndryshme, nuk kanë qenë të motivuar”, ka thënë analisti për Gazeta Blic.

Jashari thekson se diaspora ka të drejtën legjitime për të votuar dhe është sa një subjekt i madh politik në Kosovë.

“Ajo që dihet tashmë është që trupi elektoral që jeton në diasporë është sa një subjekt i madh politik, sa subjekti i dytë në Kosovë, votat që vijnë nga diaspora janë të barabarta me votat që i ka PDK, e që nënkupton që një koalicion i VV-së me Listën Guxo, me Alternativën po edhe me diasporën, ka funksionuar. Se sa është e drejtë që diaspora të vijë të votojë në Kosovë, është e drejtë, ligji e përcakton, kushtetuese, ligji i mundëson që secili qytetar që është shtetas i Kosovës të vijë të japë votën dhe të ketë zë në përcaktimin se kush do të qeverisë vendin, pastaj kjo pjesa se sa do të duhej të përfshihej diaspora në votim ose jo është çështje e debateve, por përderisa jemi në rregull me ligjin, atëherë është e drejtë legjitime e secilit votues, pavarësisht ku jeton, që të hedhë votën e vet”, ka theksuar ai.

Se Vetëvendosje s’do të ketë problem në krijimin e institucioneve e thotë edhe Jashari, teksa thotë se mbetet të shihet nëse do të këmbëngulim pastaj për çështjen e presidentit.

“Ajo që dihet tashmë është që me 50 për qind të votave, VV nuk e ka problem as formimin e Kuvendin e as të qeverisë, diskutabile mbetet çështja e presidentit, kur i skadon mandati presidentes aktuale, se si do të sillet Lëvizja Vetëvendosje, a do ta ketë atë kokëfortësinë e herës së kaluar që të imponojë propozimet e veta dhe të mos kërkojë bashkëpunim ose dialog me partitë opozitare për të siguruar numrin 80 të nevojshëm prezent në sallë, të nevojshëm për procedurën e presidentit apo jo, kjo do të varet shumë nëse VV do të ketë një qasje të arsyeshme siç do të duhej të sillej një fitues, të kërkojnë zgjidhje që ta gjejnë një emër mbi partiak, një emër që e pasqyron unitetin qytetar, atëherë besoj që opozita nuk do të duhej të kishte dilema rreth votimit të presidentit. Në të kundërtën, nëse shkojmë me idenë si herën e kaluar që të imponojë zgjidhje dhe të mos ketë dialog, të mos ketë kompromis, të mos i respektojë partitë opozitare, atëherë nuk është e rastësishme që ta kemi një bllokadë te zgjedhje e presidentit”, ka deklaruar Shemsi Jashari./Gazeta Blic/