• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Baraliu: Pranimi i Asociacionit nga Kurti është një përgjegjësi historike, që do t’i hakmerret në pikëpamje politike, do të jetë fatale

11/05/2023 21:18
nga:Gazeta Blic

E, për dallim nga Avni Arifi, e një pjesë e opozitës që po e konsiderojnë se Kurti e ka pranuar Asociacionin, njëjtë nuk mendon një njohësi i së Drejtës Kushtetuese.

Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një intervistë për emisionin Expose, prodhim i GazetaBlic, thotë se nuk është pranuar Asociacioni.

Madje, ai ka kritika edhe për bashkësinë ndërkombëtare që po i bëjnë presion Kosovës.

“Pranimi i një asociacioni dhe kushtëzimi nga bashkësia ndërkombëtare pas aktit të agresionit me 24 shtator sikur nuk ka ndërruar asgjë, presioni që i bëhet Kosovës për të pranuar selektivisht sekuencimin e zbatimit të dy marrëveshjeve është i papranueshëm”, thotë Baraliu.

“Asociacioni nuk është pranuar, për arsye se ka disa mënyrë për t’u nxjerrë nga ajo. E para, sipas ligjit për marrëveshje ndërkombëtare në Kosovë, neni 10 parasheh mundësinë që marrëveshjet ndërkombëtare mund të lidhen, mund të ketë rezervë, mund të tërhiqen dhe mund të ndryshohen. Pra, varësisht nga rrethanat është klauzola e mirënjohur në marrëdhënie ndërkombëtare, kur ndryshojnë rrethanat, çdo qeveri kur vjen në pushtet mund ta pranojë, ta realizojë, ta ndryshojë, ta anulojë”.

Pra, shton ai, edhe ligjet në këtë rast ky ligj, mund të ndryshohet dhe plotësohet me vota të shumicës dhe të anulohet kjo marrëveshje.

“Mund të ketë rezervë, mund të ndryshohet, plotësohet, të tërhiqet. Kosova tërhiqet nga marrëveshja. Edhe Kosova është dashur të veprojë njësoj, ose edhe në qoftë se nuk tërhiqet, nuk e zbaton, thjesht me moszbatim ajo bëhet e pavlerë dhe jofunksionale”.

Sipas tij, Serbia synon Kosovën ta shndërrojë në një lëkurë leopardi, në një Serbi të dytë, jo vetëm Republikë Serbe por një Serbi të dytë në Kosovë dhe kjo e papranueshme.

Kushdo që pranon këtë, sipas Baraliut e pranon një përgjegjësi historike që do t’i hakmerret në pikëpamje politike, do të jetë fatale.

“Prandaj, unë dëshiroj e shpresoj që kryeministri Kurti ka taktikë politike, taktizim e ka këtë mënyrë që herë thotë po e herë e nënshkruaj e në fakt shpresoj që nuk do ta zbatojë e realizojë, përndryshe pranimi i një pushteti të ri në Republikë, një Serbie të dytë në Kosovë do të ishte thjesht përgjegjësi politike e papranueshme, diçka që do të ketë jo vetëm përgjegjësi politike por edhe materiale”, thotë ai, raporton Gazeta Blic.

“Ju e dini sa lëshime janë kërkuar dhe janë bërë, Kosova ka bërë vazhdimisht lëshime dhe qeveritë tjera s’kanë bërë lëshime, vetëm kjo qeveri nuk ka bërë lëshime dhe është për t’u lavdëruar por jo kur thotë “jo, jo, jo” e pastaj “po, po, po”. Sa janë etike ato shkelje të premtimeve e vlerëson votuesi por të gjithë kanë bërë lëshime. Por, pranimi i një asociacioni dhe kushtëzimi nga bashkësia ndërkombëtare pas aktit të agresionit me 24 shtator sikur nuk ka ndërruar asgjë, presioni që i bëhet Kosovës për të pranuar selektivisht sekuencimin e zbatimit të dy marrëveshjeve është i papranueshëm”.

 

12/23/2024 21:12

Muriqi mund të rikthehet në Turqi?