• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Bajqinovci: Diaspora ishte kyçe në fitoren tonë të madhe – s’kemi nevojë për opozitën për formim të institucioneve

01/11/2026 17:14
nga:G B

Rezultati i zgjedhjeve ka qenë i pritshëm nga Lëvizja Vetëvendosje. Këtë e konfirmon për dokumentarin Expose, Mefail Bajqinovci, i cili ka siguruar votat për ulëse në Kuvend.

Ai thotë se rezultatin e kishte parashikuar muaj më parë, teksa thotë se VV e Kurti kanë thyer rekord të votave.

“Mendoj se ka qenë e pritur dhe ishin zgjedhje demokratike, a asnjë incident e as nuk kishte fjalor apo përplasje fjalësh gjatë fushatës por edhe pas fushatës mendoj se ishin zgjedhje fer dhe demokratike dhe që kanë dëshmuar që qytetarët e Republikës së Kosovës dhe institucionet kanë bërë një punë të mirë dhe normale është atë që e kemi thënë te ju para disa muajsh se ne do të dalim me rezultat plebishitar dhe do ta kalojmë edhe me vota edhe si parti por edhe si lider Albin Kurti do t’i tejkalojë të gjitha votat, pra edhe Albini e shkurtit 2025, pra është njeriu më i votuar që ka marrë vota në histori të të gjitha partive politike”, ka thënë ai.

Ai shton se pritjet gjithmonë janë më të mëdha, por që fitorja prej 50 për qind është reale dhe është besimi i marrë nga populli i Kosovës.

“Gjithmonë pritjet janë më të mëdha por mendoj se kjo ka qenë reale dhe ne ashtu siç e kemi thënë se ne kemi pritur që t’i kemi 50 për qind dhe ajo ndodhi, ndodhi që populli i Kosovës ia dha Lëvizjes Vetëvendosje më 28 dhjetor”, është shprehur Bajqinovci.

Por, sa ka qenë diaspora përcaktuese e këtij rezultati të zgjedhjeve të 28 dhjetorit? Qytetarë të Kosovës që jetojnë në vendet perëndimore kanë votuar në numër të madh, qoftë me postë, në ambasada dhe në Kosovë, ata që kanë ardhur për pushime. Sipas të dhënave nga policia e ksoovës, të nxjerra nga sistemi i menaxhimit të integruar, në Kosovë kanë hyrë mbi 560 mijë qytetarë përmes pikalimeve kufitare tokësore dhe ajrore, në javën e fundit të dhjetorit.

Sipas Mefail Bajqinovcit, diaspora ishte kyçe në fitoren e madhe të LVV-së, duke ndikuar që rezultati i fitores të thellohet.

“Nuk ka dilemë që në thellimin e fitores së VV-së, diaspora është kyçe dhe kjo ka treguar edhe në votimin me postë, edhe në votimin në konsullata dhe ambasada, por edhe me ardhjen e tyre në Kosovë. Pa dilemë, diaspora është ajo që ka ndikuar në thellimin e madh të fitores së VV-së dhe këtu jemi tash ku jemi dhe besoj që faza tjetër është konsolidimi i institucioneve e pas certifikimit të rezultateve që ende nuk dihet kur do të bëhet për shkak se mund të ketë ndonjë ankesë të partive politike apo brenda politike, po besoj që shumë shpejt do ta kemi edhe certifikimin e rezultateve. Diaspora është kyçe në fitoren e madhe të LVV-së”, ka vlerësuar deputeti i zgjedhur.

Tani pritet që të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve dhe formimi i institucioneve të reja, që sipas Kurtit, do të bëhet shumë shpejt.

Lidhur me këtë, Bajqinovci potencon se është e rëndësishme që të krijohet kuvendi dhe më pas qeveria, për çka thotë se s’do të kenë nevojën e opozitës.

“E rëndësishme është që së pari të krijohen trupat e kuvendi dhe kuvendi. Imediate është që sa më shpejt të certifikohen rezultatet dhe të formohet kuvendi e pas kuvendit të formohet qeveria dhe pas asaj të votohet buxheti sepse kriza më e madhe do të jetë nëse buxheti nuk votohet deri në fund të muajit shkurt. Dhe, pastaj, unë besoj që rezultatet e para tregojnë se kryetarin e Kuvendit mund ta votojmë pa pasur nevojë për opozitën, por këto janë faza të cilat duhet t’i ndjekim më tutje dhe të shohim në vazhdim se çka do të ndodhë më tutje”, ka deklaruar Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/