• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Azemi tregon si të zgjidhet problemi i mungesës së rrymës: Gazi amerikan opsion i vetëm, LDK në qeveri e ka prioritet

04/28/2023 20:56
nga:G B

Anëtari i LDK-së, Visar Azemi, i cili është ekspert i energjetikës, në një intervistë për BlicInterview me Astrit Gashin, ka folur edhe për prodhimin e energjisë elektrike në vend, problemin gjatë muajve të dimrit dhe si duhet vepruar që të kemi energji të mjaftueshme e të mos ketë nevojë për import.

Ai thotë se gjatë verës ka mundësi për eksport pasi janë temperaturat e larta dhe kemi energji elektrike me bollëk, por që problemi është gjatë dimrit.

“Qytetarët gjatë kohës së verës, kur temperaturat janë më të larta, energjinë elektrike e kanë me bollëk pasi prodhimi vendor e mbulon kërkesën të cilën e kemi, bile gjatë verës kemi hapësirë për më shumë eksport. Problemi është në muajt e dimrit kur temperaturat bien dhe qytetarët fillojnë të përdorin energjinë elektrike për njohje dhe ai është problemi ku ballafaqohemi me mungesë të prodhimit dhe obligohemi që të importojmë”, thekson ai.

Azemi tregon se ajo që duhet të bëjmë është që t’i ngrisim kapacitetet prodhuese, t’i revalitizojmë blloqet ekzistuese të Kosovës B, t’i japim mundësi efiçiencës së energjisë.

Por, si opsion i vetëm për gjenerim në një shkallë më të madhe thotë se mbetet gazi, që ishte refuzuar nga qeveria Kurti.

“Në këtë rast ajo që duhet të bëjmë është të ngrisim kapacitetet prodhuese, t’i revalitizojmë blloqet ekzistuese të Kosovës B, t’i japim mundësi efiçiencës së energjisë në një masë shumë më të madhe që t’i izolojmë shtëpitë, por gjithsesi këtë hapësirë nuk mund ta mbulojmë nëse nuk instalojmë edhe më tej prodhim të energjisë, qoftë për ne si LDK opsioni i vetëm për gjenerim në një shkallë më të madhe mbetet gazi, për të cilin e patëm parë që qeveria e pati refuzuar dhe duhet t’i japim mundësi e t’i shtyjmë sa më shumë burimet e energjisë alternative që investitorët e jashtëm të vijnë dhe të investojnë qoftë edhe të brendshëm por edhe të jashtëm”, vlerëson anëtari i LDK-së në BlicInterview.

Ai shton se qeveria nuk ka bërë asgjë për këtë por që nevojitet që gazi amerikan të kthehet në bisedime me SHBA-të.

“Kjo është dashur të bëhet me një mekanizëm të ankandeve, për të cilin qeveria e ka pasur një draft në momentin që ka ardhur por tash gati viti i tretë i qeverisjes dhe nuk është bërë asgjë për këtë. Me këto investime nuk është që është marrë dikush nga ta në mënyrë serioze, për t’i sjellë ato. Pra, gjenerim dhe efiçiencë. Gjenerim në kuptimin gazin amerikan duhet ta kthejmë prapë në bisedime me partnerin  tonë kryesor strategjik”, potencon Visar Azemi.

Eksperti i energjetikës mohon se SHBA është tërhequr nga ky projekt për gazin amerikan, teksa shton se me LDK-në në qeveri kjo është ndër prioritetet e para, po ashtu dhe për të luftuar ndikim e gazit rus dhe komplet politikës ruse në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk është tërhequr. Unë kam pasur takime me amerikanët, edhe në Departamentin e Shtetit po edhe në Ambasadën këtu. Nuk është se janë tërhequr. Gazi amerikan nuk është projekt që duhet ta shohim vetëm nga prizmi ekonomik, për amerikanët gazi në Kosovë do të ketë karakter të sigurisë kombëtare dhe gjeopolitike e gjeostrategjike. Prandaj, ky nuk është një projekt që i kemi thënë jo dhe nuk do ta vizitojmë më. Me LDK-në në Qeveri kjo është ndër prioritetet e para që do të merremi seriozisht me të, për t’iu ofruar qytetarëve siguri të furnizimit me energji elektrike, për t’iu ofruar mundësi industrisë dhe sektorit të bizneseve, të instalohen për të pasur një garanci dhe një stabilitet energjetik, por në anën tjetër me qenë partner kryesor strategjik i SHBA-ve për ta luftuar ndikimin e gazit rus dhe komplet politikës ruse në Ballkanin Perëndimor”, deklaron Azemi./Gazeta Blic/