Gramos Agusholli, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, ka theksuar se është ende herët për të përcaktuar me saktësi se kush do të bashkëpunojë me kë për formimin e qeverisë së ardhshme, pasi rezultatet përfundimtare ende nuk janë shpallur.
Sipas tij, situata mbetet e hapur dhe mund të ketë ndryshime në përqindjet e votave, ndërkohë që disa faktorë si votat e diasporës dhe ato me kusht mund të kenë ndikim të madh në rezultatin final.
“Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, mendoj se është ende herët të përcaktohet me saktësi se kush do të bashkëpunojë me kë për formimin e qeverisë së re. Situata mbetet e hapur dhe mund të ketë ndryshime në përqindjet aktuale të votave”, thotë Agusholli.
Agusholli theksoi se votat e diasporës pritet të jenë kryesisht në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, duke shtuar se shpërndarja e mandateve nga partitë që nuk kanë kaluar pragun gjithashtu mund të ndikojë në formimin e qeverisë.
Ai gjithashtu shprehu shpresën se qeveria e ardhshme do të udhëhiqet vetëm nga LVV, për të siguruar stabilitet dhe vazhdimësi në qeverisje.
“Në këtë fazë, faktorë të rëndësishëm janë votat e diasporës – të cilat pritet të jenë kryesisht në favor të Lëvizjes Vetëvendosje – votat me kusht dhe shpërndarja e mandateve nga partitë që nuk e kanë kaluar pragun, mund të ndikojnë në rezultatin final”, thotë Agusholli.
“Duke marrë parasysh këto elemente, si dhe faktin që Nenad Rashiq është në rrugë për të siguruar një mandat, unë mbetem me shpresën që qeveria e ardhshme do të jetë e udhëhequr vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje, duke garantuar stabilitet dhe vazhdimësi në qeverisje”, shtoi ai.
Përsa i përket mundësisë së koalicioneve me opozitën, Agusholli u shpreh se ato kanë përjashtuar vetveten nga çdo mundësi bashkëpunimi, duke sugjeruar se një koalicion me opozitën është i pamundur. Megjithatë, ai theksoi se mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen ngjarjet në ditët në vijim, dhe se proceset janë ende në zhvillim.
“Sa i përket koalicioneve me opozitën, ata të gjithë përjashtuan vetveten nga një ‘mundësi’ bashkpunimi, kështuqë, nuk besoj që do të ketë ndonjë koalicion! Sigurisht, mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen proceset në ditët në vijim”, shtoi ai për GazetaBlic.
