• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Arben Gashi: Në mandatin e dytë të Kurtit mungoi plotësisht komunikimi me opozitën

11/22/2025 07:37
nga:Sh R

I ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin është deputeti i LDK-së, Arben Gashi.

Deputeti ka deklaruar se gjatë mandatit të dytë të kryeministrit Albin Kurti ka munguar plotësisht komunikimi mes pushtetit dhe opozitës.

Gashi i cili për më shumë se pesë vjet ka mbajtur pozitën e kryetarit të grupit parlamentar të LDK-së, tha se situata ka qenë e ndryshme në periudhat e mëhershme, përfshirë edhe mandatin e parë të Kurtit.

“Unë kam qenë kryetar i grupit për mbi 5 vjet. Pra, kam qenë kryetar i grupit kur Albin Kurti ka qenë mandatin e parë si kryeministër, pastaj kur Abdullah Hoti e bë kryeministër, pastaj mandatin e dytë. Çka kam vërejtë, është që në mandatin e dytë të zotit Kurti si kryeministër, është hera e parë që nuk ka pas asnjë lloj komunikimi të pushtetit me opozitën, hiç, asnjë. Mandatin e parë ka pas sepse kemi qenë barabartë dhe unë kam qenë kryetar i grupit. E kam fjalën qeveria dhe grupi parlamentar i Vetëvendosjes. Na kemi qenë bashkëqeverisje, unë kam pas komunikim të vazhdueshëm me qeverinë dhe me grupin parlamentar, po edhe me grupet tjera parlamentare, përfshirë PDK-në dhe AAK-në, edhe në kohën kur ne e bëmë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë”, vlerësoi ai.

Gashi thekson së është shumë me rëndësi se si sillen në politik, ku shton se përgjegjësinë më të madhe e ka partia më e madhe, dhe se në garë të gjithë hynë si të barabartë.

“Pra, është shumë me rëndësi se si sillem në politikë. Përgjegjësinë më të madhe e ka ai që është më i madhi. Në garë kur hyjmë, hyjmë si të barabartë, po natën kur del rezultati aty është pjekuria politike. Sa ti je në gjendje me e kuptu se tash ky është realiteti i ri dhe mbi realitetin e ri unë duhet të ndërtoj perspektivën e re. Dhe kjo fatkeqësisht nuk është vërejt te Lëvizja Vetëvendosje dhe sidomos te zoti Kurti. Po shpresoj që e ka marrë një mësim prej kësaj situate njëvjeçare”, tha ai.

Tutje ai shton se pamundësia e marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, është problematike.

“Me aq sa kam pa unë se si janë sjellë, me aq sa kam pa se si ka reaguar grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mendoj se komunikimi ka qenë inekzistent ose nëse ka ekzistu ka ekzistu thjesht për gjëra të parëndësishme sepse nuk kanë mujt me u marrë vesh për kandidatin për kryetar kuvendi, nuk kanë mujt me u marrë vesh për kryetarin e kuvendit, nuk kanë mujt me u marrë vesh për mënyrën se si organizohen seancat, nuk kanë mujt me u marrë vesh për kurrgjë. Pra, pamundësia e marrëveshjes është problematike”, u shpreh ai tutje.

Ndër të tjera ai shtoi se gjatë mandatit të kaluar opozita është detyruar të çojë 12 ligje në Gjykatën Kushtetuese, të cilat, sipas tij, i ka fituar të gjitha.

Ai tha se LDK-ja dhe grupet tjera ofronin zgjidhje dhe amendamente, por që deputetët e Vetëvendosjes refuzonin ndryshimet pavarësisht se në komisione pajtoheshin se ato ishin të drejta.

“Ju e dini se mandatin e kaluar unë, grupi parlamentar i LDK-së dhe grupet e tjera parlamentare herë PDK-ja, herë AAK-ja si opozitë, jemi detyruar që 12 ligje me i dërgu në Gjykatë Kushtetuese, të 12 rastet i kemi fitu. Dhe për të 12-tat raste ne kemi ofru zgjidhje, kemi ofru amandamente të cilat e kishin bë ligjin të pranueshëm për sistemin tonë kushtetues. Kemi pas refuzim kështu, kur do të diskutojshim me deputetët e Vetëvendosjes nëpër komisione, “ki të drejtë, po kështu na kanë thënë edhe ne nuk e ndryshojmë, vazhdojmë kështu”. E dinë ata çka janë tu bë. Pra, ishte e pamundur me gjet një kompromis në komision me deputetët, e pamundur me gjet një kompromis mes kryetarëve të grupeve dhe u detyrojshim që me përfundu në Gjykatë Kushtetuese”, përfundoi ai.