• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Rrëfimi i Ekrem Kastratit: Betimi si ushtar i UÇK-së, kthesa më e madhe në jetën e tij dhe burgosja në burgjet serbe

10/04/2025 15:49
nga:G B

Në një shtëpi modeste në lagjet e Prishtinës së viteve ’90, fillon rrëfimi i një njeriu që jetën ia dedikoi lirisë dhe shërbimit publik. Aty, në shtëpinë e Fatmir Limajt, ku bashkëjetonin idealistët e kohës si Rexhep Selimi, Demir Limaj, Ali Xhuliqi dhe të tjerë, Ekrem Kastrati hodhi hapat e parë drejt një rruge që do t’i ndryshonte jetën.

Ekrem Kastrati, kandidat i Nismës Socialdemokrate për kryetar të Komunës së Malishevës për mandatin e dytë, në një intervistë për dokumentarin Expose të Gazeta Blic, ndau rrëfimin e tij të rrallë për rrugëtimin jetësor që nis nga vitet e luftës e deri te përkushtimi për zhvillimin e Malishevës urbane.

Kastrati kujtoi kontaktet e para me strukturat e UÇK-së në vitin 1996, ku në shtëpinë e Fatmir Limajt në Prishtinë, u betua për t’u bërë pjesë e rezistencës. Ai rrëfeu se angazhimi në radhët e UÇK-së ishte një kthesë e madhe jetësore, që u shoqërua më pas me sakrifica të mëdha, burgosje dhe tortura nga regjimi serb.

“Kontaktet e para me strukturat e atëhershme të UÇK-së i kam pasur në shtëpinë e z.Limaj në Prishtinë, ku në atë kohë kemi qenë cimerë me Rexhep Selimin, Fatmir Limajn, Demir Limajn, Ali Xhuliqin, e të tjerë, ku i jemi bashkuar celulave ilegale të UÇK-së në fillim të vitit 1996 e më pas kemi vazhduar me aktivitetet, përkatësisht me operacionet e atëhershme ilegale të UÇK-së, nëpër Kosovë, e posaçërisht në Komunën e Malishevës”, ka thënë ai.

“Unë kam qenë ushtar. E kemi bërë betimin në Prishtinë në shtëpinë e Limajt, dhe kemi vazhduar me organizimin e operacioneve të atëhershme të UÇK-së, posaçërisht në Malishevë, si ushtar i po kësaj ushtrie”, shprehet Kastrati.

I vendosur, i përkushtuar dhe i vetëdijshëm për rrezikun, Kastrati ishte angazhuar në operacionet ilegale të UÇK-së, veçanërisht në zonën e Malishevës. I përkushtuar për lirinë, nuk e llogariti sakrificën personale e as familjare.

Për të, momenti i kthesës së madhe në jetë ishte betimi si ushtar i UÇK-së. Përballë kishte një armik të pamëshirshëm, por përpara një ideal të madh, atë të çlirimit.

“Nga vet fakti që të jesh ushtar i UÇK-së është sakrificë fillestare sepse përballë e kemi pasur një armik të pamëshirshëm që të gjithë shqiptarët e dinë në lëkurën e vet apo historinë e vet që gjithmonë e kemi pasur një armik të papërshtatshëm, goxha të fortë dhe një armik që gjatë gjithë kohës ka qenë i pamëshirshëm në të gjitha drejtimet. Prandaj, sakrifica jonë ka qenë e tillë, mirëpo nuk e kemi bërë shumë hesap sakrificën as personale e as të familjes sepse kemi dashur që liria e Kosovës të vie sa më shpejt dhe kjo rrugë ka qenë atëherë e vetmja alternativë, i vetmi shteg ku neve na pat mbetur që t’i kapim armët dhe ta forcojmë elementin militar kundër një armiku të atëhershëm sikur që ka qenë Serbia”, ka kujtuar ai.

“Momenti më i mirë ka qenë kur kam dhënë betimin që të jem ushtar i UÇK-së, ka qenë kthesa më e madhe në jetën time ku kam marr një drejtim të ri në zhvillimin e jetës, gjithmonë në shërbim të kombit dhe atdheut, ky ka qenë momenti më kulminant. Ndërsa kemi pasur edhe përjetime të tjera të cilat më pastaj ndodhi që edhe të burgosemi, pastaj zhvilluam jetën nëpër burgjet e Serbisë”, ka potencuar Ekrem Kastrati për Expose.

Por rruga drejt lirisë ishte e dhimbshme. Në fillim të vitit 1997, ai dhe shumë bashkëluftëtarë ranë në duart e armikut. Ekrem Kastrati, Fatmir Limaj, Nait Hasani, Ali Xhuliqi, Bislim Zogaj dhe dhjetëra të tjerë u burgosën. Tortura, izolim, dhunë, e më pas dënime të rënda në burgjet serbe.

“Pjesa më e dhimbshme me pasoja shumë të mëdha për mua dhe familjen time por edhe për strukturat e atëhershme ka qenë burgosja jonë, e grupit tonë me shokë që ramë në burg në fillim të shkurtit, kemi qenë të burgosur një numër i madh i ushtarëve, unë, Limaj, Nait Hasani, Ali Xhuliqin, Isak Shabani, Bislim Zogaj, e shumë të tjerë që u burgosëm në fillim të vitit 1997 dhe u dënuam me dënime të larta të atëhershme e që na ra që ta vuanim dënimin nëpër kazamatet serbe, duke filluar në Kosovë në pjesën e hetimeve  apo pjesën që ka qenë më e vështira e më pastaj edhe vuajtja e dënimit nëpër burgjet e Serbisë, edhe këtu në Kosovë”, është shprehur ai.

Kastrati ka rrëfyer vështirësitë e të qenit i burgosur politik në burgjet serbe, një shteti që nuk respektonte asnjë të drejtë ndërkombëtare. Por pavarësisht këtyre, ata mendjen e kishin te shokët e tyre që po luftonin.

“Të jesh i burgosur i shtetit serb, përkatësisht i strukturave të atëhershme të sigurisë së shtetit serb ka qenë jashtëzakonisht e vështirë dhe një përjetim i skajshëm sepse Serbia e atëhershme nuk ka respektuar konventat ndërkombëtare mbi të burgosurit as nuk ka respektuar të drejtat e të burgosurve, faktikisht ka qenë një sistem i dalë nga binarët e drejtësisë, i dalë nga e drejta ndërkombëtare, kështu që prandaj nuk ka respektuar asnjë të drejtë as të të burgosurve, as të marrëve peng sikur ne që kemi qenë të burgosur të atëhershëm, e që kjo ndoshta është pjesa më e vështirë  e jetës time, sepse për të qenë në burg unë dhe shokët e mi ka qenë shumë e vështirë jo vetëm nga fakti që ne kemi përjetuar tortura të mëdha por nga fakti se në Kosovë në atdheun tonë kanë qenë zhvillime të mëdha kur UÇK ka vazhduar me luftën e saj, me shtrirjen e saj dhe e kemi parë si vështirësi pse ne nuk po jemi në frontet e luftës me shokët tanë, ku shumica prej tyre tashmë janë dëshmorë”, ka kujtuar Kastrati.

Dënimi për ta ishte 10 vite por pas 4 vitesh Kastrati me të burgosurit e të tjerë u liruan, pasi Kosova u çlirua.

“Ne jemi dënuar me 10 vite burg por nuk e votuam të plotë pasi ndodhi çlirimi i Kosovës më 1999 dhe forcat serbe u larguan nga Kosova dhe ka qenë presioni i madh ndërkombëtar që Serbia të nxjerr ligj në parlamentin e saj për lirimin e të pengjeve të luftës, të burgosurve politikë siç kemi qenë ne dhe pas 4 vjet e 2 muaj ne jemi liruar me vendim të parlamentit të Serbisë”, ka thënë Ekrem Kastrati./Gazeta Blic/