Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për veprimin e opozitës që të mos i votojnë ligjet që vijnë në Kuvend.
Vendimi u mor së fundi edhe nga AAK, për shkak të pakënaqësive ndaj Qeverisë Kurti.
Lidhur me këtë, deputeti nga mazhonranca, thotë se do të ecin përpara me votimin e ligjeve dhe do të kenë sukses, por që veprimi i opozitës për të mos i votuar marrëveshjet ndërkombëtare është joserioz dhe papërgjegjësi.
“Ne si mazhorancë do të ecim para me votimin e ligjeve dhe sigurisht që do të kemi sukses, por ikja nga përgjegjësia para qytetarëve e subjekteve opozitare si PDK dhe AAK duke mos i votuar marrëveshjet ndërkombëtare, është një papërgjegjësi dhe një qasje jo serioze ndaj shtetit tonë”, thotë ai për Gazeta Blic.
Sipas Thaçit, nuk ka arsye që të mos votohen marrëveshjet ndërkombëtare, pasi janë për zhvillim të vendit.
“Marrëveshjet ndërkombëtare janë projekte të ndryshme që shërbejnë për zhvillimin e vendit. Nesër në rend dite kemi marrëveshjen ndërkombëtare për investimin në rivitalizimin e hekurudhës që unë mendoj se nuk ka kurrfarë arsye opozita mos ta votojë vetëm se po i pengon zhvillimi i vendit nga Qeveria Kurti”, deklaron deputeti i VV-së, Halil Thaçi./Gazeta Blic/
Deputeti i VV-së: Opozita s’ka fuqi politike, s’mund të bllokojë punën e Kuvendit


