Lajme

Deputeti i VV-së: Opozita s’ka fuqi politike, s’mund të bllokojë punën e Kuvendit

09/13/2023 15:49
nga:G B

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që të mos i votojë ligjet që vijnë në Kuvendin e Kosovës, për shkak të pakënaqësisë me Qeverinë Kurti.

Por, si komentohet veprimi i partive opozitare nga Vetëvendosje dhe a e pengon punën e Kuvendit?

Deputeti i VV-së, Agon Batusha, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se opozita ka zgjedhur rrugën bllokuese, derisa s’kanë kauza e as vizion.

“Në mungesë të kauzave dhe vizionit, zgjedhin të ndjekin rrugë bllokuese për të cilën nuk kanë fuqi as ta bëjnë. Gjithsesi, lehtësisht mund të bllokojnë marrëveshjet ndërkombëtare me anë të të cilave populli i Kosovës përfiton qindra miliona euro në projekte e programe të ndryshme”, thotë ai.

Sipas Batushës, opozita s’mund të bëjë asgjë me fuqinë politike që ka, përveç bllokimit të kalimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Pra, me fuqinë politike që e kanë nuk bëjnë asgjë më shumë se sa dëmtim direkt të qytetarëve përmes bllokimit të kalimit të marrëveshjeve. Për votimet me shumicë të thjeshtë fatmirësisht nuk e kanë ndikimin”, vlerëson deputeti për Gazeta Blic.

Ai shton se “puna e Kuvendit nuk mund të bllokohet nga opozita në asnjë rrethanë”./Gazeta Blic/