Lajme

Analistët për takimin Kurti-Vuçiç: Fokusi te veriu, rezultat i zbehtë – kritika ndaj Borrell e Lajçak për qasjen ndaj Serbisë

09/13/2023 21:23
nga:G B

Nesër (e enjte) Brukseli do t’i bëjë bashkë pas disa muajsh, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Takimet ndaras nga ndërmjetësuesit e BE-së do të nisin nga ora 09:00 në mëngjes, për të vazhduar më pas me takimin trepalësh.

Por, cilat janë pritjet nga ky takim?

Analisti Blerim Gashi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se do të jetë fokusi i gjetjes së zgjidhjes dhe normalizimit në veri të vendit, duke i hequr Kosovës nyjën nga qafa.

“Hapësira e manovrimit strategjik në bisedime është ngushtuar tej mase dhe tani është momenti që të kapitalizohet nga të arriturat e fundit në aspektin e kthimit të kontrollit në teren në Veriun e Kosovës, fokusimi në gjetjen e modusit si të ecet para drejt normalizimit para se të ngecet-vazhdohet në fajësimin e palës serbe duhet të jetë orientimi i ri drejt heqjes së nyjës serbe në qafën e Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij, kjo duhet të bëhet në informim dhe koordinim me SHBA-të.

“Kjo natyrisht duhet bërë me informim dhe koordinim me palën amerikane para së gjithash, në marrëdhëniet ndërkombëtare por edhe në bisedime mes shteteve nuk mjafton vetëm të jesh në anën e të vërtetës dhe drejtës, por duhet materializuar edhe situatat oportune ndërkombëtare”, deklaron Blerim Gashi për Gazeta Blic.

Ndërsa, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se në diplomacinë ndërkombëtare duhet ekuilibruar situatat delikate, por që me Borrell e Lajçak që i quan burokratë të BE-së, sipas tij nuk pritet qasje e barabartë në mes palëve.

“Në diplomacinë ndërkombëtare duhet ekuilibruar situatat delikate qofshin ato edhe historike, për t’u dhënë zgjidhje; me burokratë të UE-së si Josef Borrell e Miroslav Lajçak, nuk pritet qasje të barabartë kundrejt palëve në bisedime, sepse, si Ministër i Jashtëm spanjoll kishte qëndrime të ashpra kundër pavarësisë së Katalonisë e rrjedhimisht edhe pavarësisë së Kosovës e deri tek kontributi për tensionim të politikave të UE-së, i cili ka krijuar një trashëgimi aspak të lavdërueshme”, thotë ai.

Pula përmend qëndrimin e Lajçak kundër Kosovës dhe se të dy janë figura fatkeqe për vendin.

“Po ashtu, Miroslav Lajçak, si Ministër i Jashtëm sllovak shprehte qëndrime kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shteti Sllovak!, prandaj dhe, secili prej tyre dhe që të dy bashkë, vazhdojnë të jenë dy figura fatkeqe për Kosovën, sepse jemi dëshmitarë të veprimeve të tyre që kanë shpërfaqur përgjatë këtij procesi një lloj persekutimi të pamëshirshëm politikë ndaj Kosovës, dhe kjo na ka treguar obsesionin e tyre ndaj Serbisë”, vlerëson njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare për Gazeta Blic.

Ai shton se Borrell e Lajçak kanë treguar mjaftueshëm me shkelje të pariemve të diplomacisë e bisedimeve si proces, duke e lënduar Kosovën si palë në të.

“Dy burokratët evropianë, Borell e Lajçak, vetëm mbi procesin zgjedhor në komunat veriore; ngjarjet nga 26 Maj; dhe më pas propozimin për masat kundër Kosovës; duke mos e mbështetur Kosovën në vënien e sundimit të ligjit në veriun e Kosovës, na kanë treguar mjaftueshëm, prandaj në mes nesh ka ngritur shqetësime serioze edhe për papërshtatshmërinë e rolit të tyre në mandatin që kanë brenda UE-së, kështu, të dytë kanë treguar shpërfillje të plotë të parimeve të diplomacisë dhe bisedimeve si proces, duke e lënduar Kosovën politike si palë në këtë proces”, thekson ai.

Sipas Pulës, normalizimi nuk ka ndodhur ende, edhe pse ka kaluar një dekadë që nga nënshkrimi i dokumentit të parë.

“Kaloi plot një dekadë e dokumentit të parë të nënshkruar më 19 Prill, 2013 i cili dokument u fuqizua edhe me Ligjin për Ratifikimin e “Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare mbi Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë” i datës 27 Qershor, 2013 e që atëherë, normalizimi i marrëdhënieve nuk ka ndodhur!? Askush nuk është marrë thelbësisht me vlerësimin dhe konstatimin e atij dokumenti dhe ligjit në fjalë! Pra, ajo përpjekje nuk i ka dhënë mundësinë paqes dhe të ardhmes së dy vendeve dhe ai “qëllim”, akoma, ka mbetur i paralizuar”, shton ai për Gazeta Blic.

Ai thotë se Serbia për veprimet e saj ka gjetur tolerim nga BE dhe se nga takimi i nesërm pritet rezultat i zbehtë.

“Ngjarjet e 26 Majit në veriun e vendit, rrëmbimi i zyrtarëve policor të Kosovës nga Serbia, veçse ka ripërsëritur pengesa të reja sipas tekave të presidentit serb Vuçiç, i cili, natyrisht ka gjetur tolerimin nga Brukseli zyrtar, respektivisht nga evropianët dhe ndërkombëtarët. Prandaj, në takimin e radhës të të dy drejtuesve shtetëror, Kurti – Vuçiç, në Bruksel, pritet rezultat i zbehur”, deklaron Shqiprim Pula./Gazeta Blic/

Bajqinovci: BE ta kuptojë dëmin ndaj dialogut me përkrahjen ndaj Serbisë – procesin po e dëmtojnë edhe opozita e Qeveria e Shqipërisë

Takimi i nesërm Kurti-Vuçiç/ Deputetja Statovci tregon pritjet: Presioni për respektim të dakordimit të Ohrit të gjejë adresën e duhur

Takimi i nesërm/ Ish kryediplomatja: BE do t’i shfrytëzojë sanksionet – themelimi i Asociacionit me pasoja si të Gjykatës Speciale

Deputeti i VV-së: Opozita s’ka fuqi politike, s’mund të bllokojë punën e Kuvendit