Lajme

Zbulohen tri shkronjat e UÇK-së në Negroc, në ceremoninë e përurimit të lapidarit të Jakup Krasniqit

11/26/2026 12:37
nga:L J

Në fshatin Negroc, vendlindjen e Jakup Krasniqit, është mbajtur ceremonia e përurimit të lapidarit kushtuar figurës së tij, me ç’rast janë zbuluar edhe tri shkronjat simbolike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – UÇK.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka vlerësuar lart kontributin e Jakup Krasniqit në rrugën për çlirimin e Kosovës dhe në procesin e shtetndërtimit.

Lladrovci ka thënë se Krasniqin fillimisht e kishte njohur përmes angazhimit dhe përkushtimit të tij për lirinë e Kosovës, para se ta njihte personalisht. Ai ka theksuar se për figurën dhe kontributin e tij kishte dëgjuar edhe nga ish-bashkëluftëtarët, përfshirë Ilaz Kodrën dhe Fadil Gashin, të cilët e kishin pasur mësues në Skenderaj.

Kryetari i Drenasit ka kujtuar edhe bashkëpunimin me Krasniqin në organizimet e para për çlirimin e vendit, duke veçuar angazhimin e tij në aksionet e para dhe në përpjekjet për unifikimin e politikës dhe aktivistëve politikë.

Ai ka përmendur gjithashtu natën e 31 dhjetorit 1991 dhe fillimin e vitit 1992, kur, sipas tij, Jakup Krasniqi, së bashku me Adem Jasharin dhe bashkëluftëtarë të tjerë, e kishin pritur pas rezistencës ndaj policisë serbe, në kohën e sulmit të parë ndaj familjes Jashari.

Lladrovci ka shprehur bindjen se Jakup Krasniqi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë, do të lirohen nga Gjykata Speciale.

“Baci Jakup ka dhënë kontribut shumë të çmueshëm në shtetndërtimin, në çlirimin e vendit dhe tash po përballen padrejtësisht në Gjykatën e Hagës. Unë personalisht shpresoj me bindje të madhe se Apeli do t’i lirojë”, ka deklaruar Lladrovci.

Ceremonia në Negroc u shënua me nderime për figurën e Jakup Krasniqit dhe me zbulimin e tri shkronjave të UÇK-së, në shenjë kujtimi për luftën dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.