Nesër me 14 shtator, në Bruksel do të mbahet takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ku pas disa muajsh do të takohen sërish kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
Për takimin dhe pritjet nga ai, për Gazeta Blic ka folur ish ministrja e jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.
Ajo thotë se takimi i shkon për shtati Serbisë së përkëdhelur, për të vazhduar koordinimin me Rusinë dhe luftën ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Zhvillimi i takimit të nivelit të lartë mes Kosovës së sanksionuar dhe Serbisë së përkëdhelur – s’ka se si të mos i shkojë për shtati Serbisë për të vazhduar me aktivitetin destruktiv në Ballkan, për të vazhduar me koordinimin e politikës së jashtme me Rusinë, dhe për të vazhduar luftën ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare pavarësisht marrëveshjeve të dakorduara e nënshkruara”, thotë ajo.
Sipas saj, shkuarja në takim me Vuçiçin pa u negociuar heqja e sanksioneve e rrezikon kushtëzimin e Kosovës me fillimin e implementimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Shkuarja në Bruksel për takim me Vuçiqin me 14 shtator, pa e negociuar suksesshëm heqjen e sanksioneve me aleatët fillimisht, rrezikon kushtëzimin e Kosovës me fillimin e implementimit të të ashtuquajtur “Asociacion të komunave me shumicë serbe” për t’ia hequr vetes sanksionet – e jo të përfitojë nga ndonjë pikë e favorshme e asaj marrëveshjeje bazë”, vlerëson ish kryediplomatja për Gazeta Blic.
Haradinaj Stublla potencon se Serbia do të kërkojë Asociacion, ndërsa Kosova duhet ta kushtëzojë që Serbia të nisë me zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.
“Prandaj nëse flitet për sekuencim, padyshim që Serbia do të kërkojë Asociacionin, ndërsa Kosova edhe pse dështoi të fusë çështjet e saj prioritare në nene të veçanta të marrëveshjes – do të duhej të kushtëzojë që Serbia të fillojë menjëherë me zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes – pra hapjen e Urës së Ibrit, funksionalizimin e 5 pikë kalimeve kufitare të marrëveshjes së IBM-it, dhe pranimin e dokumenteve të udhëtimit të Republikës së Kosovës”, shprehet ajo.
Sipas saj, BE si ndërmjetësues ka për qëllim që t’i shfrytëzojë sanksionet për trysni ndaj Kosovës, për zgjedhjet në veri dhe fillimin e implementimit të marrëveshjes bazë, me Asociacionin si në të kaluarën.
“Shihet qartë që ndërmjetësuesi ka për qëllim shfrytëzimin e sanksioneve ekzistuese për t’i bërë trysni Kosovës jo vetëm për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veriun e territorit të saj, por edhe me fillimin e implementimit të marrëveshjes bazë respektivisht Asociacionit siç është nënshkruar në të kaluarën. Më vjen keq që viteve të fundit, kur Kosova kishte vëmendjen më të madhe ndërkombëtare rreth një marrëveshjeje finale me Serbinë, Kosova është barrikaduar pikërisht si pasojë e marrëveshjeve të dëmshme të së kaluarës siç është Asociacioni”, deklaron ajo.
Ajo shton se kushdo që ka guxim ta themelojë Asociacionin me vendim të veçantë të qeverisë, e jo sipas Ligjit për Lirinë e Asociimit – do të bartë njollën e përhershme për defunksionalizimin e shtetit të Kosovës.
“Kushdo që merr guximin të themelojë të ashtuquajturin “Asociacion të komunave me shumicë serbe” me vendim të veçantë të qeverisë, e jo sipas Ligjit për Lirinë e Asociimit – do të bartë njollën e përhershme për defunksionalizimin e shtetit të Kosovës, njësoj si me vendimin për themelimin e Gjykatës Speciale”, përfundon ish ministrja Meliza Haradinaj-Stublla./Gazeta Blic/
Deputeti i VV-së: Opozita s’ka fuqi politike, s’mund të bllokojë punën e Kuvendit


