Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, në një intervistë për BlicInterview me Astrit Gashin, ka folur për zhvillimet politike në vend, bllokadën në Kuvend, qëndrimet e partisë e formimin e institucioneve të Kosovës.
Ai ka thënë se situata që po ndodhë në Kuvend është e palakmueshme dhe se nuk iu pëlqen që të kalojnë disa seanca pa u konstituar Kuvendi. Por ai ka fajësuar LVV për gjithë bllokadën, derisa ka thënë se po sillen me arrogancë dhe nuk i kanë numrat.
“Rezultati i zgjedhjeve ka sjellë një pozicionim të tillë të partive politike dhe është rezultat i komplikuar sepse nuk i jep një shumicë as partisë së parë politike por as anës tjetër që të krijojë një qeveri shpejt dhe është pritur që të ketë një komplikim të tillë por jo për të mos u konstituar Kuvendi sepse unë mendoj se ka hapësirë që kjo të bëhet por normalisht që kjo përgjegjësi i bie të parit sepse ata duhet të jenë më të interesuar por edhe më fleksibil për ta konstituar Kuvendin dhe ne këtë s’po e shohim deri tash. Pra ka një arrogancë të vazhdueshme që është parë edhe në mandatin e kaluar, edhe gjatë fushatës e edhe pas fushatës, e kur nuk i ke numrat, është mirë që arrogancën ta zbutësh. Arroganca është në komunikim. Kushtetuta e përcakton që duhet të votohet me 61 vota kryetari i Kuvendit dhe ky fakt tregon se kryetari i Kuvendit duhet t’i arrijë të paktën 61 vota e në një situatë ideale do të duhej që të merrte dhe më shumë, dy të tretat e votave”, u shpreh Zogaj.
Deputeti shtoi se VV as nuk i ka numrat e as nuk ka seriozitet që ta arrijë shumicën dhe se s’ka pasur ftesë zyrtare për të diskutuar, pasi partitë tjera mund të pranojnë, nëse LDK ka refuzuar.
“61 nuk arrihen sepse nuk ka shumicë në Kuvend dhe s’ka as seriozitet që të arrihet ajo shumicë sepse nuk ka komunikim normal. E vetmja ftesë zyrtare është ajo që i është bërë LDK-së, e të cilën ne e kemi refuzuar por kjo s’do të thotë që s’duhet të vazhdohet komunikimi me partitë tjera. U bë një kërkesë nga foltorja por nuk arrihet marrëveshja politike prej një kërkese nga foltorja, duhet insistim në komunikim. Është thirrje joserioze, duhet komunikim. Ne kemi refuzuar por s’do të thotë që edhe të tjerët do ta kenë të njëjtën përgjigje, ne kemi lëshuar rrugë. Ne ju thamë jo edhe ditën e zgjedhjeve, edhe pas zgjedhjeve, dolëm dhe me qëndrim publik me tri pikat se si e shohim konstituimin e institucioneve”, ka theksuar ai.
Zogaj ka shtuar se mund të rrinë dhe në opozitë, me rezultatin që kanë marrë në zgjedhje.
“Ne kemi thënë se mund të rrimë edhe në opozitë, qytetari e ka dhënë verdiktin, jemi partia e tretë me 18 për qind. E kuptojmë qartë rezultatin, s’tentojmë të marrim bajrak për t’i formuar institucionet, e kemi rolin tonë, jemi të kënaqur me rritjen tonë, edhe pse s’kemi arritur atje ku kemi dashur”, ka deklaruar Alban Zogaj.
Po ashtu, ai ka thënë se me VV-në kanë dallime dhe nuk mund të qeverisin me ta, pasi Kurti ka rrënuar urat e bashkëpunimit.
“Ajo çka ne po e themi në vazhdimësi është që kemi thënë se duhet ndryshim dhe mendojmë ende se duhet ndryshim i kësaj qeverisje dhe ky është hendeku i madh që kemi me VV-në, kemi diferenca të mëdha dhe të kundërta, kjo nënkupton që kjo qeverisje duhet të ndryshohet por qytetari vendosi ndryshe, VV-së i ka dhënë 48 mandate, andaj po themi urdhëroni qeverisni. Ne po themi nëse VV nuk mund ta krijojë qeverinë, atëherë na vie radha neve, jo domosdoshmërish të dytit, por ata që i bëjnë 61 vota dhe e bindin presidencën se mund ta bëjnë qeverinë. Albin Kurti dhe VV ka rrënuar urat e bashkëpunimit, në vend që t’i ndërtojë, i ka rrënuar ato dhe kjo është arsyeja pse jemi në këtë pozicion. Mund të formohet një qeveri e re, janë 120 deputetë, ka parti tjera, ka disa parti parlamentare që kanë shprehur gatishmëri për t’i zhbllokuar proceset dhe ecur tutje por po mungon komunikimi, s’kemi parë komunikime zyrtare tjera përpos një komunikimi që 2 muaj pas zgjedhjeve”, ka deklaruar deputeti i LDK-së./Gazeta Blic/