Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj është i ftuari i kësaj jave në emisionin ‘Blic Interview’ me Astrit Gashin.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje dhe qeverisja e Albin Kurtit kanë abuzuar me pushtetin vetëm një muaj para zgjedhjeve. Ndihmat sociale të shpërndara vetëm një muaj para zgjedhjeve, ai tha se i sheh si pjesë e një vendimi të turpshëm
“Natyrisht se është pozicion favorizues me hy në zgjedhje lokale kur je duke qeverisur, ashtu siç është edhe në zgjedhje qëndrore kur je duke qeverisur me vendin. Ne e kemi pa këtë, sepse kjo qeveri e ka përdorur buxhetin e shtetit për favorizime politike. Një muaj para zgjedhjeve kanë shpërndarë ato ndihmat sociale të cilat indirekt janë blerje e votës, vendim i turpshëm. Në shtete serioze, një muaj para zgjedhjeve nuk merren vendime të tilla. Pra, normalisht që të favorizon pozicioni prej qeverisjes”, tha fillimisht Zogaj.
Tutje, ai foli edhe për bllokadën që sipas tij po u bën Lëvizja Vetëvendosje në kryeqytet. Sipas tij, qëllimi është që të bllokohen punët, të dështojë qeverisja e Ramës dhe më pas ata ta fitojnë udhëheqjen në kryeqytet
“Ka një tendencë për t’i bllokuar projektet tona nga qeveria, në mënyrë që të dështojë qeverisja aktuale në kryeqytet. Pra të bllokohen punët, të dështojmë ne dhe më pas ata ta fitojnë udhëheqjen në kryeqytet. Projektet më të mëdha të Prishtinës janë bllokuar pikërisht nga qeverisja qëndrore. Qytetarët e Prishtinës e kanë kuptuar këtë gjë. Ne jemi të bindur që do të ecim tutje për mandatin e radhës në kryeqytet”, përfundoi Zogaj.
/GazetaBlic/