• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Zgjedhjet në veri/ Zemaj: Situatë jo lehtë e menaxhueshme, Qeveria e paaftë, përgjegjësinë ia la KQZ-së

04/14/2023 20:42
nga:G B

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në një intervistë për Blic Interview me Astrin Gashin, ka folur për zgjedhjet në veri, a duhet të shtyhen ato apo jo, Marrëveshjen e Ohrit, mënyrat se si LDK do ta kundërshtojë atë, punën e qeverisë dhe ligjshëmrinë në veriun e vendit, asociacionin e vetëmenaxhimin.

Sa i përket zgjedhjeve në veri, ai thotë se pasojat kanë mbetur që nga viti i kaluar me targat dhe tani përgjegjësia ka mbetur në dorë të KQZ-së për zgjedhjet, ku sipas tij situata nuk do të kalojë pa pasoja dhe jo lehtë e menaxhueshme.

“Kryeneqësia e kësaj qeverie në menaxhimin e situatës, sidomos në pjesën veriore të Kosovës që nga fillimi i mandatit të saj ka qenë problematike në vetvete por edhe në kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Problemi i vitit të kaluar i ka lënë pasojat e veta, me targat, loja me partnerët ndërkombëtarë, mos dëgjueshmëria në kuptimin pozitiv dhe të partneritetit dhe shtyrja e zgjedhjeve, heqja dorë e personave udhëheqës nga të qenit kryetarë komunash, shtyrja e zgjedhjeve për një kohë të caktuar dhe tani lënia e përgjegjësisë në dorë të KQZ-së, duke tentuar të mbulohen problemet, sulmet, tentativat për destabilizim të veriut dhe mënyra e trajtimit edhe të kësaj pjese në dialogun me Serbinë, ose më mirë të them pas Marrëveshjes së Ohrit, po duket që nuk do të kalojë pa pasoja dhe jo lehtë e menaxhueshme. Në këtë kontekst ne e përkrahim qeverinë për ushtrimin e sovranitetit dhe ligjshmërisë në atë pjesë, por nuk mund të qëndrojmë inert ndaj mostransparencës së çfarë problemesh ka në atë pjesë”, thotë Zemaj.

Sipas tij, esenca e problematikës në veri nuk është te zgjedhjet por në faktin se atje nuk ka pushtet të qëndrueshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës, për çka thotë se Qeveria deklaron të kundërtën por që e bën për popullizëm.

“Ne asnjëherë nuk kemi qitë kushte, në kuptimin e asaj se me çka po përballemi në pjesën veriore të Kosovës dhe kjo nuk është as në natyrën e LDK-së. Por, esenca e kësaj problematike nuk qëndron vetëm në zgjedhjet. Esenca e problematikës qëndron në atë që kemi thënë se atje nuk ka pushtet të qëndrueshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës. Qeveria ka deklaruar të kundërtën, ka thënë që asnjëherë që nga paslufta nuk ka pasur më shumë ligjshmëri se tani dhe në kuptimin figurativ, asaj me letra, që e përmendëm përmes KQZ-së, tregon paaftësinë e Qeverisë, ose më shumë popullizmin e saj që të merret me problemin që po ndodh atje”, vlerëson deputeti i LDK-së në Blic Interview.

Zemaj thotë se është dashur të përgatitemi për një situatë tjetër, me dorëheqjet e serbëve në veri, teksa thotë se për situatën tani nuk ka transparencë, andaj nuk shohin zgjidhje.

“Në momentin kur trupat zgjedhorë, policia, gjyqësia, organet tjera vendimmarrëse, kanë dhënë dorëheqje dhe janë larguar nga institucionet në mënyrë demonstrative, atëherë është dashur të kuptojmë se ne duhet të përgatitemi për një situatë tjetër. Cila përgatitje ka ndodhur, përpos atyre pamjeve, që duke tentuar në moralizimin gjoja të policëve, që me ditë të tëra dhe në kushte mizërie qëndrojnë në atë pjesë të Kosovës, Njësive Speciale dhe të tjerët që të cilët nuk kanë fare mbrojtje ligjore, as policore, as qytetarët serbë dhe as të tjerët nga agresioni ta quaj, dhe nga loja që bëhet si instrument i përdorur nga Vuçiqi i Listës Serbe dhe i qytetarëve të manipuluar në atë pjesë. D.m.th ne nuk po shohim zgjidhje, nuk ka transparencë, nuk shohim as zgjidhje. Po e shihni se si tentohet të shtyhen mbledhjet e KQZ-së”, shton ai.

Si opsion për tejkalim të kësaj situate vlerëson se ka mbetur partneriteti dhe ndikimi i ndërkombëtarëve, teksa shton se ka një ndryshim të gjuhës së shteteve të QUINT-it.

“Opsioni ka mbetur partneriteti dhe ndikimi i ndërkombëtarëve dhe mënyra se si është menaxhuar me qetësi, maturi, me kohë të gjatë, mënyra se si është tentuar që ajo pjesë e Kosovës të vihet nën sovranitetin e plotë edhe ligjor edhe kushtetues, të institucioneve që janë legjitime dhe gradualisht edhe me procesin e dialogut ta bëjmë të mundshme ose ta bëjmë të afrueshme që ata të jenë të dëgjueshëm në kuptimin pozitiv, të institucioneve ku jetojnë, të shtetit të vet, të pranueshmërisë së shtetit por jo edhe të destabilizimit nga njerëz, individë, struktura edhe kriminale po se po, gjithmonë që ndodhë, dhe pa një përgjigje adekuate. E shihni, ka edhe një lloj largimi ta quaj edhe të gjuhës çfarë kanë përdorur, qoftë SHBA-të, qoftë faktorët tjerë vendimmarrës, ose më mirë të them shtetet e QUINT-it, por nuk kemi asnjë përgjigje konkrete as nga NATO dhe as nga KFOR-i, që e menaxhojnë pjesën kryesore të sigurisë në atë pjesë”, vlerëson deputeti i LDK-së.

Lidhur me Listën Serbe, mospjesëmarrjen e saj në zgjedhje dhe faktin se a po e bën këtë Vuçiq që të dalë fitimtar në këtë provës, Zemaj thotë se është e vërtetë por që institucionet e Kosovës nuk duhet të fshihen pasi nuk është e turpshme dhe të bashkëpunojnë me opozitë apo Kuvend dhe ndërkombëtarë e mos ta presin ditën e zgjedhjeve.

“Është e vërtetë kjo, ndoshta jo vetëm në mënyrën se si po e theksoni por e vërteta e asaj qëndron edhe më larg nga dita e sotme. Por cili është angazhimi dhe cili është roli institucional i qeverisë së Kosovës, i institucioneve të sigurisë, i presidencës dhe cili është narracioni ta ndërtojnë, në kuptimin e organizimit të një procesi zgjedhor, me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë dhe kjo nuk duhet të fshihet, nuk është as e turpshme por duhet edhe të elaborohet në mënyrë të saktë dhe të tentohet qoftë edhe përmes Kuvendit të Kosovës, qoftë edhe me partitë opozitare, me qytetarët në atë pjesë, të ketë një intensifikim të një pune të vazhdueshme dhe jo të pritet dita D ose dita finale e mbajtjes së zgjedhjeve”, deklaron Armend Zemaj.

Ai më tutje shton se pa një debat për ndikim dhe ndërhyrjen e Vuçiq në veri nuk mund të ecet tutje dhe se do të ketë vetëm destabilizim, teksa thotë se Serbia është agresori, ndërsa Kurti si kryeministër po e vë qeverinë në grackë të saj.

“Duke marrë parasysh që as në procesin e marrëveshjes, nuk është dashur të lejohet ose së paku të mos përmendet roli ose interferimi i Vuçiqit me Listën Serbe ose ndaj Listës Serbe në atë pjesë të Kosovës dhe në brendi të saj. Pa këtë debat, pa përkufizim të saktë dhe pa analizë e vendimmarrje të saktë, nuk mund të ecet tutje, atëherë kalojmë në nivel tjetër, do të ketë destabilizim dhe destabilizimi mendoj unë që është i disfavorshëm për vetë Republikën e Kosovës, duke marrë parasysh edhe rrethanat tjera gjeopolitike tash, në fund të fundit duke marrë parasysh intencat për normalizim të marrëdhënieve ka kaluar në nivel tjetër në kuptimin e mbështetjes së njëjtë, as nuk e kemi mirëkuptimin e njëjtë nga sjellja e kësaj qeverie, nga loja që është bërë me dialogun, nga qasja e saj direkte nga platforma dhe gjuha që është përdorur dhe asnjëherë duke marrë parasysh që në anën tjetër e kemi një agresor dhe e kemi një njeri që e po qet qeverinë e Kosovës në grackën e tyre, sidomos në raport me bashkësinë ndërkombëtare”, mendon ai.

Zemaj rikthekson se situata është e keqe dhe jo lehtë e menaxhueshme, që thotë se nëse nuk ka vigjilencë të theksuar, atëherë do të kalojmë në një nivel që do të jetë aspak i favorshëm për Kosovën.

“Situata është jo lehtë e menaxhueshme, por situata është e keqe, është në koncept të asaj që quhet destabilizim të brendshëm nga akterë të jashtëm dhe do të kemi një përballje në kuptimin që nëse nuk ka një vigjilencë të theksuar dhe nëse nuk ka një mbikëqyrje ditore, ose trajtim ditor, ose me këtë neglizhim, atëherë do të kalojmë në nivel tjetër të kësaj situate, e cila po e përsëris edhe njëherë nuk është e favorshme për neve aspak”, deklaron Armend Zemaj.

/Gazeta Blic/