• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Zemra mal kur vijnë kosovarët”/ Pronari i Regina Group: Viti pas pandemisë më i bukuri në 20 vite – të gjithë ishim shqiptarë

06/08/2025 14:58
nga:G B

Nuk do që asnjë mysafir të largohet nga hoteli i pakënaqur. Kjo thotë se e lë pa gjumë, ndërsa zemra i bëhet mal kur në hotelet e tij shkojnë kosovarë, për çka thotë se dëshiron ta ngre muzikën patriotike lart dhe të këndojë bashkë me ta.

Kështu është shprehur në rrëfimin e tij për Expose të Gazeta Blic, Vasil Bedinaj, pronar i Regina Grop.

“Te mysafirët e kam si parim por kam dhe disa miq nga veriu, ka që brenda një natë akomodohen 1400 persona por kur më vijnë grupe nga Kosova më bëhet zemra mal, dua të ndez muzikën lart dhe të këndoj me këngët tona patriotike, por ajo që më lë pa gjumë është kur një klient më ikën i pakënaqur. I lexoj përshtypjet nëpër portale që lënë vizitorët dhe menjëherë urgjentisht në grupin me menaxherët merremi me atë se pse ai klient ka ikur i pakënaqur dhe bëjmë të pamundurën që kushdo që vjen në strukturat tona ta ndjejë veten si mik, si shok dhe jo vetëm si një klient që t’i thuash mirëmëngjesi apo mirëmbrëma, por ta ndjejë veten komod dhe në një vend që e njeh prej kohësh”, ka theksuar ai.

E, kosovarët padyshim që janë turistët e parë për nga numri.

Vasil Bedinaj kujton vitin pas pandemisë, që thotë se ka qenë viti më i bukur në këto 20 vite, derisa të gjithë turistët kanë qenë shqiptarë.

“Kosovarët janë të parët, padyshim dhe unë dhe disa partnerë që i kam në Prishtinë, Kosovë, pas pandemisë kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për ta mbajtur këtë sektor të gjallë. Koha e pandemisë për gjithë jugun e Shqipërisë, kanë qenë bashkatdhetarët e Kosovës, të Maqedonisë, nga diaspora, që na mbajtën në këmbë, sepse u mbyllën gjithandej dhe ishte dhe slogani jonë “Pusho shqip”, nuk kishte më bukur dhe ai ka qenë viti më i bukur i këtyre 20 viteve, ku 99.99 për qind e hoteleve të kompanisë tonë flitej shqip, jo si sot që 70 për qind e klientëve janë nga vendet e ndryshme të Evropës por dy vitet pas pandemisë kanë qenë vërtetë “Pusho shqip” se ishim të gjithë si një lagje e madhe, si një qytet i madh, si një katund i madh dhe të gjithë shqiptarë”, është shprehur ai.

Por, tani turistët janë nga e gjithë Evropa, me befasi nga Spanja e Franca në 2-3 vitet e fundit.

“Sot apo në 2-3 vitet e fundit kemi turistë nga e gjithë Evropa. Në dy vitet e fundit kemi pasur Spanjën dhe Francën surprizë për ne, në numrat që ata sjellin, nuk është Evropa Lindore që ka qenë më herët”.

Vitin e kaluar Kosova mori liberalizimin e vizave, çka u vërejt edhe në numrin e turistëve në Shqipëri. Për Bedinajn kjo ishte e pritur, derisa e quan vit për kuriozitet, çka thotë se kosovarët janë kthyer përsëri në vendet bregdetare në Shqipëri, ku s’ka më mirë.

“Patjetër, e ndjemë pak vitin e kaluar, isha komplet i vetëdijshëm që do ta provonin, siç e kemi provuar të gjithë kur kemi marrë dhe ne liberalizimin e vizave, ishte thjesht një vit për kuriozitet por nuk mund t’i krahasosh çmimet në Shqipëri, mikpritja, shërbimi e të gjitha me radhë, me një hotel diku në Greqi apo Bullgari, çmimet janë pothuajse përgjysmë në Shqipëri. Por ishte vetëm një vit dhe përsëri jemi kthyer në vendlindjen tonë, çdo vit kemi grupe nga Kosova. Personalisht jam shumë pozitiv në atë që po ecim dhe në atë që kemi arritur sot së bashku, para 10 vitesh në Vlorë s’kemi pasur as ndriçim ndërsa tani ka aeroporte, porte, rrugë që të sjellin në Prishtinë për 4 orë, kështu që jemi shumë mirë”, ka deklaruar Vasil Bedinaj për Expose./Gazeta Blic/