• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Zemaj për procesin në Hagë: Qëndrimi i LDK-së është kërkesa permanente për drejtësi

04/14/2023 21:15
nga:Astrit Gashi

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në BlicInterview me Astrit Gashin, duke folur për dhomat e posaçme të Gjykatës së Kosovës në Hagë, ku ka filluar procesi gjyqësor ndaj katër ish-liderëve të UÇK-së, tha se sipas mendimit të LDK-së, ky proces duhet të ketë pavarësi të plotë.

“Ne jemi si pjesë institucionale asnjëherë interferues në organet gjyqësore, sidomos këto të Kosovës, aty ku e kemi edhe fuqinë e votës, ose të mbikëqyrjes. E kemi pasur një gjykatë të UNMIK-ut, e kemi pasur një Gjykatë të EULEX-it, të tjerat po tentojnë nga të bëmat e veta, nga gjykimet e tyre personale dhe nga veprimet, ose edhe nga propaganda, ose nga linçimet që kanë ndodhur, edhe deri te vrasjet për motive politike, po mundohen që LDK-në ta vënë përballë një Gjykate, të themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas një raporti të qartë, shumë konkret, nga ana e një prokurori amerikan Williamson. Dhe kjo është e papranueshme, është një shpifje në vazhdimësi, ose tendencë për të krijuar situata të keqinformimit publik dhe të mbrojtjes të çdokujt që ka përdorur mekanizma negativ dhe të cilat kanë dëmtuar interesin e Kosovës, por edhe të qytetarëve, në veçanti të figurave politike, ushtarake, veprimtarëve dhe atdhetarëve gjatë luftës dhe sidomos në Kosovën e pasluftës”, tha Zemaj.

Zemaj, i pyetur se a shpreson se a do ti jep fund kjo Gjykatë spekulimeve për vrasjet me motive politike, tha se si do të rrjedhin gjërat në Gjykatën Speciale, atë nuk mund ta thotë as ai, e as LDK.

“Por motivi, përcaktimi, veprimi, kërkesa, për drejtësi është permanente, është e padiskutueshme, është morale, është e bazuar e LDK-së. Drejtësi për të vrarët, për veprimtaret e saj politik, ushtarak, të vijës institucionale, përkrahësit e Presidentit Ibrahim Rugova, në rrethana të veçanta dhe të cilët padrejtësisht janë nda nga jeta dhe pothuajse asnjë rast nuk është i zbuluar. Në çdo gjykatë të Kosovës , që është e Kosovës, ne kërkojmë drejtësi. Nuk e di çfarë përfundimi ka me pasur ndonjë rast i veçantë, ose si tërësi, ose si gjykim, ose si veprim, po do të ishte e mirëseardhur nëse ndonjë rast do të ishte në zbardhje, dhe dikush të gjykohej dhe të kishte një vendim përfundimtar, pas të cilit do të ndiheshin mirë qytetarët e Kosovës, LDK dhe familjarët e çdo personi, i cili ka qenë i atakuar, i vrarë, i ndëshkuar, i torturuar, dhe në çfarëdo forme, për arsye banale politike. Andaj ne nuk kemi gjykim në këtë drejtim, por kërkesë permanente, po se po, edhe pse jemi atakuar edhe në këtë formë, pyetja shpeshherë shtrohet, çka ka bërë LDK, çka ka bërë individi, duke na vendosur në atë pozicionin se është dashur ta marrim vetë ligjin në dorë dhe ti zgjidhim rastet veç e veç”, tha Zemaj.

Ai shtoi se LDK kërkon drejtësi për të gjitha viktimat dhe se do të ishte e padrejtë, nëse do të kërkohej drejtësi selektive.

“Por kërkojmë drejtësi posaçërisht për veprimtarët, për atakimet që ju kanë bërë LDK-së, në çdo gjykatë të Kosovës. Asnjëherë nuk e përjashtojmë kërkesën që proceset të jenë të drejta, të jenë me fakte, të bazuara, ku nuk lejohen dyshime në vazhdimësi dhe ku ka një përgjigje meritore”, tha Zemaj.

Duke folur për arsyet se pse LDK nuk ju bashkua protestës “Marshi për Drejtësi”, Zemaj tha se kërkesat për drejtësi duhet të jenë gjithëpërfshirëse.

“Po të kishte pasur një protestë, një marsh, ashtu siç po quhet nga të gjithë, kur janë vrarë figurat dhe njerëzit eminent të LDK-së, do të ishte një justifikim i vazhdimit të kërkesës për drejtësi. Por nuk mund të bëhemi pjesë kur ka kërkesë për drejtësi selektive çfarëdo qoftë ajo ose për këdo qoftë ajo. Sepse atëherë do të ishim të padrejtë ndaj familjarëve të të vrarëve, të padrejtë ndaj ngjarjeve që janë zhvilluar në Kosovën e luftës dhe të pasluftës, pa dashur me paragjykuar vullnetin, angazhimin, fajësinë ose pafajësinë e dikujt në një proces gjyqësor. Qëndrimi i LDK-së është kërkesa përmanente për drejtësi”, tha Zemaj.