• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Ymeri: Qeveria Kurti gjithë mandatin fokus pati vetëm veriun, nuk u mor me sektorët e tjerë

11/20/2024 17:22
nga:G B

Analisti Visar Ymeri premtimin për banesa për çiftet e reja e sheh të paqartë në realizim.

Ai thotë për Expose se Qeveria s’ka dhënë sqarime se çfarë banesave do të jenë ato dhe se projekti nuk përkon me buxhetin e paraparë nga Qeveria.

“Sa i përket projektit për banimin e përballueshëm, kjo për mu mbetet e paqartë se si do të zhvillohet. Ka një diskrepancë të jashtëzakonshme në mes zotimit elektoral që e ka pas Kurti që i tërë projekti diku do të sillet 25-30 milionë dhe tash në vlerësimin që ia ka bërë korporata ndërkombëtare financiare që projekti del diku mbi 200 milionë, dhe kjo pastaj nuk e tregon saktë dhe qeveria nuk ka qenë fare e qartë për të treguar se çfarë lloj të banesave do të jenë këto”, thotë ai.

“Ende nuk kemi arrit aty, ne në fund të mandatit të qeverisjes së LVV prapë po përballemi me disa marrëveshje që po i bënë ministria me komunat për të filluar projektet, ndërkohë që është premtu që gjatë mandatit 4 vjeçar pak a shumë do të arrihet një pjesë e konsiderueshme e tyre. Janë premtu 160 çerdhe nuk janë ndërtu as 5 a 6, tash kom dëgju që kanë fillu proceset edhe për nja 10 tjera, është premtu fondi sovran i cili ka mbetë në letër, një prej mekanizmave që qeveria e ka shit si mekanizmi që do ta shpëton ekonominë e Kosovës dhe ndërmarrjen publike të Kosovës, nuk ka asgjë në atë drejtim”, vlerëson Ymeri.

Ndërsa, lidhur me premtimet për ndërtimin e rrugëve, Visar Ymeri thotë se Qeveria është fokusuar gjithë mandatin vetëm në veriun e vendit, duke mos u marrë me sektorët tjerë.

“E tërë qeverisja e qeverisë Kurti 2 është fokusuar vetëm në një gjë dhe ajo ka qenë veriu i Kosovës, edhe aty nuk është se ka tregu ndonjë rezultat mbresëlënës, edhe pse mundohet qeveria ta paraqes sikur një sukses dhe fitore e madhe e Kosovës, nuk është ndonjë gjë që as që duket që do të ketë qëndrueshmëri e as ndonjë e arritur kushedi se çfarë. Ndërsa në të gjitha sektorët tjerë nuk është se kanë tregu ndonjë kreativitet ose ndonjë seriozitet në punën e kryer”, ka deklaruar Ymeri./Gazeta Blic/