• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“VV kërkoi 500 mijë vota, pësoi rënie 10 për qind – vështirë se do ta formojë Qeverinë”

03/09/2025 18:14
nga:G B

Politologu Dritëro Arifi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është fituese ligjore por jo morale, që ka kërkuar ta tejkalojë rezultatin e vitit 2021.

Ai për Expose të Gazeta Blic, ka thënë se rezultati është real, konkret, reflektim i gjendjes në vend.

“Rezultati është real, është ajo ndjenja e qytetarit, rezultat konkret, reflektim i gjendjes e cila është në mesin tonë, pra këto janë ato pikat që qytetarët mendojnë se mund të avancohet mirëqenia e tyre. Është një rezultat që mund të themi nëse e ndajmë në parti, Vetëvendosje është parti fituese teknike ligjore por jo morale për shkak se pritjet e tyre kanë qenë imagjinare, që t’i fitojnë mbi 50 për qind, të ripërsëritet viti 2021 gjë që ka qenë e pamundur edhe në logjikën e një personi shumë të thjeshtë, për shkak të shumë problematikave që kanë ndodhur gjatë këtyre 4 viteve”, është shprehur ai.

Arifi është shprehur kritik edhe për opozitën, që thotë se nuk i ka arritur objektivat e saj.

“Në këtë rast VV është fituese ligjore dhe teknike, por jo morale, sepse rënia 10 për qind është e madhe dhe pritshmëritë nuk janë ato që kanë pritur t’i marrin gjysmë milionë vota, pra kjo është ajo, është fituese e zgjedhjeve por tani e ka hapin që ta krijojë qeverinë të cilën edhe nëse e formon, do ta ketë të vështirë ta bëjë shumicën parlamentare dhe kjo do ta dëmtojë. Ne e kemi parë VV-në që me shumicën parlamentare s’ka arritur t’i përmbushë të gjitha objektivat e mos ta flasim për një qeveri të pakicës që është shumë fragjile. Po ashtu, edhe opozita nuk i ka arritur numrat specifik që ata kanë pasur si qëllim, opozita në njëfarë mënyre mendoj se është humbësi më i madh në kuptimin edhe të votës popullore, edhe pse ka një ngritje edhe te PDK, edhe te LDK, Aleanca është aty-aty, por për katër vite në opozitë është dashur që të lëvizin pak më shumë nga pozita që kanë qenë dhe këta kanë lëvizur shumë pak e që është e pamjaftueshme për opozitë në katër vite kur e krahasojmë një qeverisje që nuk ka qenë e mirë. Prandaj, e shoh që të dy palët janë humbëse nëse i shohim në sytë tanë, sepse asnjëra palë nuk e ka arritur objektivin e kërkuar“, ka vlerësuar politologu për Gazeta Blic.

Sipas tij, Vetëvendosje do të kishte rënie më të madhe, po të mos ishte çështja e veriut.

“Rezultati i parë, unë jam i bindur se Vetëvendosje do të kishte rënie edhe më të madhe, po të mos ishte veriu, por çështjen e veriut nuk mund ta mbash dy mandate. VV duhet ta dijë që në katër vitet e ardhshme nëse do ta bëjë qeverinë, nuk mund të marrë më vota vetëm me veriun sepse qytetarët do të lodhen nga ajo dhe do të ngopen. Opozita duhet ta ndryshojë komplet botëkuptimin e politikëbërjes, pra nuk bëhet politikë me lojën e njëjtë, duhet të ndryshojë shumëçka, duhet të ndryshohen dhe figurat që do t’i përfaqësojnë, nëse vijnë në qeverisje. Nëse janë në opozitë, duhet ta ndryshojnë lojën e sjelljes politike”, ka theksuar Arifi.

Madje, ai e sheh të paqartë se si do të formohen institucionet, bazuar në këtë rezultat

“Për fat të keq rezultati na prodhon një politikë të vazhdimësisë së njëjtë, kjo është problematika e gjithçka, prandaj e thashë në fund të ditës të gjithë jemi humbës. Ne asnjëherë nuk po flasim për një arsim digjital, mjekësi të avancuar, po flasim për gjëra të shekullit të njëzet, pra kjo është ajo që do ta dëmtojë zhvillimin e shoqërisë tonë. Ne krejt çka flasim është mllefi, urrejtja, dhe një njëfarë mënyre premtime të dhëna që nuk mund të realizohen, japim premtime të parealizueshme dhe të kota, asnjëherë nuk e themi të vërtetën, e vërteta dhemb por politikanët janë pikërisht aty për ta thënë atë, sepse ne katër vite i humbëm për çka, nuk kemi zgjidhur asgjë, jemi në pikën A, po flas për dialogun, sepse ky është problemi më i madh që po na mban peng, nuk po mund të zhvillohemi dhe asnjëra parti nuk po e merr seriozitetin dhe guximin për t’ia thënë troç qytetarëve, ky është problemi, kështu duhet zgjidhur nëse duam të ecim tutje. Prandaj, cilado parti që vie në pushtet, kam frikë që do të lëvizim në të njëjtën rrugë duke pasur frikë se çka mendon qytetari, pa pasur frikë që të marrin edhe goditjet nëse janë të nevojshme, por për ta avancuar shtetin”, ka deklaruar politologu Dritëro Arifi./Gazeta Blic/