Visar Azemi do të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Ferizajt në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë.
Këtë e ka konfirmuar ai në një intervistë me Astrit Gashin në Blic Interview.
Ai tha se garës po i futet për të fituar dhe se Ferizaj po i kthehet LDK-së.
“Kandidat prej fillimit dhe vetëm se e kam konfirmuar vazhdimisht, i kam hyrë kësaj gare me qëllimin se do të jem kryetar i Ferizajt. Ferizaj ka balotazh dhe në balotazh do të jem unë me kryetarin aktual. Kemi ngritje 65 për qind të votës në Ferizaj në zgjedhjet nacionale dhe kësisoj Ferizaj po kthehet, po kthehet me një trajektore bukur të mirë dhe unë jam në garën për kryetar të komunës”, u shpreh ai.
Azemi ka vlerësuar se Ferizaj meriton transformim, pasi është betonizuar.
“Garës nuk i futem asnjëherë për të mos fituar. Ferizaj meriton transformim por jo beton sepse në Ferizaj sot ke beton, s’ke shpirt të qytetit, s’ke jetesë, ke betonizim dhe ndarje praktikisht. Dua të projektoj diçka që do të jetë e qëndrueshme”, ka theksuar ai.
Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj është shprehur tejet optimist për fitore në këtë komunë.
“Unë elektoratin tim bazik e kam në Ferizaj. Atje është shpirti im me ta dhe nuk besoj që ata kësaj here do të kenë hamendje. Unë gjatë gjithë kohës jam në komunikim dhe në bashkëpunim me ta dhe është një entuziazëm bukur i mirë i qytetarëve për të pasur ndryshime dhe nuk pres diçka tjetër. Vullnet ka, gatishmëri, punën do ta bëjmë”, ka deklaruar Visar Azemi./Gazeta Blic/