• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Totaj tregon top prioritetet për mandatin e dytë në Prizren: 1000 parkingje të reja dhe teleferiku

09/18/2025 14:21
nga:N K

Kryetari i komunës së Prizrenit, njëkohësisht edhe kandidat për një mandat të dytë nga Partia Demokratike e Kosovës, në një intervistë për BlicInterview me Astrit Gashin, ka prezantuar planet konkrete për zgjidhjen e problemit të parkingjeve në qytet dhe përfundimin e projektit të teleferikut, që sipas tij, ka mbetur në pritje për shkak të vonesave procedurale.

Totaj deklaroi se deri më tani komuna nuk ka ndërtuar asnjë parking, mirëpo ka bërë një analizë të brendshme që ka identifikuar 700 deri në 800 parkingje ekzistuese, të cilat janë në pronësi të komunës, por nuk janë të menaxhuara apo funksionale.

“Nuk kemi arritur me bë një sistem të menaxhimit siç e ka bërë Prishtina. Kemi lokacione të gatshme dhe projekte konkrete për ndërtim të parkingjeve të reja, në disa zona qendrore,” – theksoi Totaj.

Kandidati për të parin e Prizrenit nga radhët e PDK-së, shtoi se janë në pritje të vendimit për shpronësimin e një pompe karburanti nga AKP-ja, në menyrë që të fillojë ndërtimi i një parkingu me rreth 100 vende. Sipas Totajt, ai ka në plan edhe dy projekte të tjera dhe të njejtat janë në fazën e hartimit dhe planifikimit.

“Në total, në mandatin e ardhshëm parashikojmë të ndërtojmë rreth 1000 parkingje të reja, si nëntokësore ashtu edhe mbitokësore, qoftë me mjete vetanake, qoftë përmes investitorëve privatë,” – u shpreh ai.

Totaj poashtu theksoi sse realizimi i këtyre projekteve varet edhe nga bashkepunimi me nivelin qendror, vecanërisht në lehtësimin e procedurave burokratike dhe krijimin e kushteve për investime publike dhe private.

Ndërkohë, sa i përket projektit të teleferikut, Totaj pranoi se ka pasur vonesa, por jo për shkak të neglizhencës komunale.

“Teleferiku ishte i premtuar. Jemi në proces të marrjes së lejes ndërtimore. Studimi i fizibilitetit na ka ardhur vonë nga ‘Swiss Contact’, dhe pasi u finalizua, kemi nisur përgatitjen e projektit për zbatim. Procedurat kanë marrë kohë, por tash jemi në rrugë të mbarë,” – shpjegoi Totaj.