Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, është deklaruar i bindur se kjo parti do të jetë fituese në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Në analizën e tij para zgjedhjeve, Lushtaku ka përmendur disa nga komunat ku kjo parti pritet të jetë më e votuara. Sipas tij, zona e Drenicën nuk duhet të diskutohet fare, atje ku presin të marrin një shumicë të madhe të votave.
PDK-në si parti të parë, Lushtaku e sheh edhe në Prizren, Ferizaj, Lipjan, Vushtrri, Mitrovicë, Klinë, Shtime, Dragash.
Sipas tij, në Podujevë dhe Prishtinë, do të ketë rritje vote, atje ku do të prezantojnë kandidatë me personalitete të ndryshme.
“Për Drenicën nuk po flas fare. PDK-ja do të dalë e para në Prizren, Ferizaj, dy komunat ku kryetarët tonë kanë bërë punë të jashtëzakonshme. Besoj që dalim fitues në Lipjan, sepse megjithatë është kthyer një figurë domethenëse e PDK-së atje, siç është Shukri Buja. Do të dalim të parët në Klinë, në Mitrovicë, në Vushtrri, në Shtime, në Dragash. Në Prishtinë besoj që do të dalim si partia e tretë apo afër të dytës, sepse jemi fokusuar që edhe në kryeqytet të kemi kandidatë me personalitete të ndryshme. Në Fushë Kosovë do të dalim të dytë, në Podujevë me gjasë jemi partia e tretë, por me mundësi reale për të dalur edhe në vendin e dytë, për shkak të pakënaqësive që ka në LDK”, tha ai.
Lushtaku tha poashtu se takimet me qytetarët po tregojnë se ka një rikthim të madh të votuesve në PDK dhe se vota për Vetëvendosjen në vitin 2021, ka qenë emocionale.
“Punët tona në terren po tregojnë që kemi rikthim të madh të votuesve, vota në vitin 2021 ka qenë votë emocionale për Vetëvendosjen dhe ajo më nuk ekziston, sepse ka një vetëdijësim tek qytetarët. Në fund të ditës, qytetarët duan projekte reale për jetën e tyre, ku preket mirëqënia e tyre. Ne kemi kandidat si Bedri Hamza, i cili po tregon se ka një platformë dhe është i dëshmuar edhe në qeverisje qëndrore dhe lokale“, përfundoi Lushtaku.
/GazetaBlic/