Analisti politik, Gazmir Raci, ka folur për pritjet për takimin e radhës Kurti-Vuçiq që pritet të mbahet këtë javë.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kosova ka pasur qëndrim konsistent për Marrëveshjen e Ohrit e planin e sekuencimit dhe tani nuk mund të flitet për Asociacionin.
“Unë mendoj që qëndrimi i Kosovës ka qenë konsistent që nga Marrëveshja e Ohrit, ku edhe në takimin e fundit në Bruksel që dështoi, për planin e sekuencimit, Kosova ka pasur qëndrim shumë të qartë se plani i sekuencimit duhet të fillojë me elementet që janë shumë të rëndësishme për Kosovën, e që janë interes jetik për Kosovën, njohja de facto nga Serbia, normalizimi me Serbinë dhe tek atëherë në mënyrë paralele ne mund të flasim për Asociacionin si obligim i marrëveshjes së vitit 2013”, thotë ai.
Sipas Racit, pas sulmit të 24 shtatorit, Serbia nuk e dëshiron Asociacionin e 2013-ës dhe se me këtë sulm ajo tregoi haptas planet për territor.
“Por, unë po them që jam i bindur sidomos pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, që Serbia nuk e dëshiron Asociacionin e vitit 2013, sepse sipas asaj i bie që Asociacioni duhet të jetë njohje, siç e kemi Asociacionin aktual, por Serbia edhe me veprimet e 24 shtatorit tashmë e ka të qartë planin se ata janë të interesuar për territor, për veriun e Kosovës dhe për këtë arsye sulmin terrorist në veri e kanë quajtur si plan për të krijuar një Donbask të ri dhe pastaj do të mund të insistonin që të flisnin për territorin”, thekson analisti për Gazeta Blic.
Mirëpo, Raci vlerëson se Kosova është kundër korrigjimit të kufirit e copëtimeve të Kosovës, por për zbatim të marrëveshjeve të Brukselit.
“Por, Kosova është shumë e qartë, ka qenë, është dhe mbetet kundër korrigjimit të kufirit, kundër ndarjeve të reja ose copëtimeve të reja të Kosovës, por ne mund të flasim për zbatimin e disa obligimeve që i kemi marrë në dialogun e Brukselit, sidomos marrëveshjen e 2013 dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, potencon Gazmir Raci.
Sa i përket planit të ri të propozuar nga BE, ai thotë se është në rregull nëse ai nis me pikat kryesore të planit franko-gjerman dhe të aneksit të Ohrit, por nëse insistohet në Asociacion, Kosova e refuzon dhe për këtë duhet mbështetur të gjithë.
“Unë nuk e kam parë dokumentin e fundit të propozuar nga BE, por nëse ai dokument fillon me pikat kryesore të planit franko-gjerman dhe të aneksit të Ohrit, dhe më pastaj shkon më poshtë në pikat tjera që janë të renditura në ato dy dokumente është në rregull dhe mund të ecet tutje, por nëse insistohet që Asociacioni të themelohet fillimisht e më pastaj të flasim për elemente tjera, kjo natyrisht që Kosova e ka refuzuar dhe duhet ta bëjë ajo dhe ne të gjithë duhet mbështetur Kosovën në këtë pozicion, e sidomos tash pas sulmit të 24 shtatorit dhe pas i kemi parë edhe hapur apetitet e Serbisë për ta copëtuar Kosovën, por kjo gjë nuk do të ndodhë në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment, pasi Kosova është shpallur shtet në vitin 2018 dhe koncesionet më të mëdha Kosova i ka bërë me planin Ahtisari dhe nuk mund të shkohet tutje me koncesione të reja”, deklaron analisti politik./Gazeta Blic/
“Nuk është çudi pranimi i Asociacionit”/ Krasniqi tregon synimin e BE-së me takimin Kurti-Vuçiq


