Lajme

Milaim Zeka sërish para Apelit për rastin e shmangies nga tatimi, kërkon të shpallet i pafajshëm: Tash e 10 vite maltretohem nëpër gjyqe

11/26/2026 12:23
nga:L J

Në Gjykatën e Apelit të enjten u mbajt seanca e kolegjit ku u shqyrtuan ankesat ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila e kishte dënuar ish-deputetin Milaim Zeka me 1 vit burgim me kusht dhe 3 mijë euro gjobë për shmangie nga tatimi, si dhe e obligoi t’ia kompensojë 67 mijë euro Administratës Tatimore të Kosovës.

Në këtë seancë, Zeka kërkoi të shpallet i pafajshëm dhe të vendoset drejtësia, duke theksuar se kurrë nuk ka pasur qëllim t’i shmanget tatimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai tha se kompaninë e ka mbyllur me vërtetim nga ATK-ja dhe se prej 10 vitesh po maltretohet nëpër gjykata me akuza të montuara.

Sipas tij, përfaqësuesi i ATK-së kishte dhënë deklaratë të rrejshme nën betim. Po ashtu, Zeka pretendoi se kryehetuesi që më pas është ngritur në postin e prokurorit, dy dëshmitarëve u ishte drejtuar me fjalë të papërshtatshme.

“Qoftë me kusht, qoftë pa kusht unë jam i dënum. Nuk ka kurrfarë rëndësie ajo absolut a jam me kusht a jo. Unë shënohem në regjistrat e gjykatës që jam njeri i dënum”, u shpreh Zeka.

Zeka tha se shpreson që kolegji gjykues të marrë vendim meritor.

“Shpresoj shumë që për hir të drejtësisë, ky trup gjykues të marr një vendim në bazë edhe të fjalës time që e thash edhe në bazë të dokumentacionit”, shoi ai.

Mes lotësh, Milaim Zeka tha se padrejtësisht është duke u endur tash e 10 vite nëpër gjyqe.

“Në muajin mars 1982 pas daljes time nga burgu, jam arratisë. Kurrë në jetën time nuk kam qenë një ditë në stacion të policisë për një biletë të autobusit. E me u bë unë kriminel, mos me njoftë vetën, këtë ma ka ba vetëm shteti im, prokurorët e vendit tim. Në fjalën time përfundimtare i kam thanë prokurorit Atdhe Gashi, a kemi hip në lift vetëm unë dhe ti. Tha po. I thash, a m’i keni lyp 120 mijë euro m’u tërheq nga akuza. Tha jo. I thash, po m’i ke lyp. Tha jo. I thash, a po e sheh që me shpifje e rrena më ke majt që 10 vjet në gjyqe, që 10 vite jam tu u maltretu, që 6 vite jam njeri i pafajshëm”, shtoi Zeka.

Zeka tha se asgjë nuk ka përjetuar më rëndë sesa të akuzohet nga shteti i vet për gjëra të paimagjinueshme.

Po ashtu, ai tha se kur gjyqtari kishte pyetur se në bazë të cilës provë është akuzuar për kanosje, është thënë në bazë të emisionit televiziv “DPT te Fidani”, por se sipas tij, ajo provë është zhdukur nga Prokuroria dhe del se nuk ka kërcënuar, por ka thënë se do merret vesh me gjykatësit.

Raporti do të përditësohet…

Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim më 20 maj 2026 e ka dënuar ish-deputetin Milaim Zeka me 1 vit burgim me kusht dhe 3 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për shmangie nga tatimi. Po ashtu, në emër të kompensimit të dëmit, i njëjti obligohet t’ia kompensojë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) shumën prej 67 mijë euro. Kurse, për pikën 2 të dispozitivit të aktakuzës, ku Zeka akuzohej bashkë me Ilir Krasniqin për “Shmangie nga tatimi”, Gjykata mori aktgjykim refuzues.

Në seancën e 15 majit 2026, prokurori Ali Ajdini tha se Prokuroria tërhiqet nga ndjekja penale sa i përket pikës 2 të aktakuzës, në të cilën Ilir Krasniqi dhe Zeka akuzohen për “Shmangie nga tatimi”, për arsye se super-ekspertiza ka përcaktuar se biznesi “Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka OP” nuk ka obligime tatimore.

Ndërkaq, për pikën 5 (e cila po ashtu ka të bëjë me “Shmangie nga tatimi”, por jo në bashkëkryerje ngase këtu akuzohej vetëm Zeka), prokurori kërkoi që i akuzuari Milaim Zeka të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Të pranishëm në shpallje ishin, i akuzuari Milaim Zeka me mbrojtësin e tij, avokatin Dren Kukaj dhe i akuzuari Ilir Krasniqi me mbrojtësin e tij, avokatin Qendrim Arifaj.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 prill 2022 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-deputetit Milaim Zeka dhe dy të akuzuarve- Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu për veprat penale “Mashtrimi”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Pastrimi i parave”. Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Milaim Zekës dhe Ilir Krasniqit sa i përket veprës penale “Shmangie nga tatimi”, kurse pjesën tjetër të aktgjykimit të Themelores e ka vërtetuar.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 28 gusht 2018 ka ngritur aktakuzë me pretendimin se të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, kanë kryer disa vepra penale.

Krasniqi dhe Zeka akuzoheshin se prej vitit 2016 deri në mars të vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “I.K & M.Z. Op”, si agjenci punësimi. Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.

Tutje, thuhet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit Krasniqi, F.K, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

Krasniqi dhe Zeka akuzoheshin se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3 mijë e 50 euro, duke i ndarë proporcionalisht mes vete. Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83 mijë e 850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261 mijë e 850 euro.

Me këtë, Krasniqi dhe Zeka ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335 i Kodit Penal.

Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur, me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, me ç’rast akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

I pandehuri Ilir Krasniqi akuzohej po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta. Me ç’rast, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit Zeka dhe Kërliu, sipas Prokurorisë kanë kryer edhe veprat penale “Pastrim i parave”, “Mashtrimi” dhe për veprën penale “Shmangie nga tatimi”. Kurse, i pandehuri Zekaj akuzohej se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”. /BetimipërDrejtësi