Lajme

“Nuk është çudi pranimi i Asociacionit”/ Krasniqi tregon synimin e BE-së me takimin Kurti-Vuçiq

10/24/2023 20:22
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, pritet të takohen me 26 tetor në Bruksel.

Takim vjen pas vizitës së pesëshes së madhe në Kosovë e Serbi me 21 tetor, derisa Miroslav Lajçak tha se kanë sjellë një plan të ri për dialogun, duke mos dhënë më shumë detaje.

Po ashtu, u raportua se Kurti e ka pranuar formimin e Asociacionit në fillim të muajit nëntor dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

Lidhur me këtë takim, deputetja e LDK-së, njëherësh kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, thotë për Gazeta Blic se Kurti vazhdimisht ka shkelur parimet dhe nuk është çudi nëse e pranon themelimin e Asociacionit.

“E para nuk do të ishte çudi nëse Kryeministri Kurti do të pranonte themelimin e Asociacionit, sepse nga ajo që kemi parë deri më tash, vazhdimisht ka qenë konsistent në shkeljen e parimeve dhe zotimeve që i kishte pasur para se të bëhej Kryeministër. Bazuar në atë që po raportohet edhe në media, flitet për një propozim “modern evropian” për Asociacionin, por për aq kohë sa nuk ka një njoftim zyrtar në lidhje me të dua të rezervohem në komente”, shprehet ajo.

Për pritjet nga takimi, deputetja e LDK-së vlerëson se synimi i BE-së është që të ketë veprime të shpejta në normalizimin e raporteve mes dy shteteve për Asociacionin, por që sipas saj kjo nuk mund të ndodh pa njohje të ndërsjellë, si dhe zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Siç jeni në dijeni, pra ky takim mes Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq është thirrur pasi është paraqitur propozimi “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe synimi i BE-së është që të ketë veprime të shpejta në normalizimin e raporteve mes dy shteteve, por kjo nuk mund të ndodh pa njohje të ndërsjellë, si dhe zbardhjen e fatit të personave të pagjetur”, thekson Krasniqi për Gazeta Blic.

Ajo kujton se Kurti kishte qenë kundër dialogut, duke mashtruar popullin e votuesit.

“Të ju kujtoj se ishte kundër dialogut pa zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, ishte për dialog me serbët lokal, para se të dialogonte me Vuçiqin, ose siç thoshte nga “poshtë-lartë”, pastaj kishte thënë se dialogu do të jetë prioriteti 7 i Qeverisë, e kështu me radhë, pra gënjeshtra e mashtrime për popullin dhe votuesit e tij. Tani se çfarë fshihet në këtë version të Asociacionit për të cilin po flitet është ende e paqartë dhe nuk mund të dal me një qëndrim”, deklaron Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/