• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Statovci tregon për vizitën e Osmanit në SHBA dhe garancitë që ajo ka marrë nga Administrata Biden

10/09/2023 10:28
nga:Gazeta Blic

Për Jeta Statovcin, deputete e Listës Guxo në Kuvendin e Kosovës, parti kjo që dikur ishte themeluar nga Vjosa Osmani, roli i presidentes asnjëherë nuk ka munguar në raport me koordinimin dhe hapat e mëtutjeshëm që merr Kosova në raport me dialogun, raporton Gazeta Blic.

Statovci thotë se rrethanat pas 24 shtatorit kanë ndryshuar komplet.

Ajo treguar edhe për vizitën e Osmanit në SHBA dhe garancitë që ajo ka marrë nga administrata Biden.

“Pa dyshim që në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, presidentja është udhëheqëse e politikës së jashtme, kurse sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese me dialogun udhëheq kryeministri, mirëpo në koordinim me Presidencën. Roli i saj asnjëherë nuk ka munguar në raport me koordinimin dhe hapat e mëtutjeshëm që marrim si vend, mirëpo gjithashtu me pozicionimin tonë karshi vendimeve dhe pozicioneve të cilave është dashur t’i marrim me dialogun dhe rrethanat në vend”, ka theksuar ajo për emisionin “Expose”, prodhim i Gazeta Blic.

Sipas saj, janë rrethanat që padyshim kërkojnë vëmendjen e gjithë akterëve. Ajo shton këto janë pika që prekin edhe në çështjen e sovranitetit integritetit territorial dhe fatit tonë si shtet.

“Pa dyshim që duhet një koordinim me ata që janë dëshmi e gjithë përpjekjes sonë popullore, pa dyshim edhe një përkushtim ndaj aleatëve tanë, pra si një trashëgimi e përbashkët e përpjekjes tonë në rrafshin politik e diplomatik, andaj duhet të jemi sa më afër njëri tjetrit, sepse Kosova pa dyshim se mund të arrijë dyshim. Mirëpo, mund të arrijë shumë më shumë përkrah miqve të saj. Involimi i presidencës nuk është se ka munguar në hapat e mëtutjeshëm, mirëpo momentumi i ri politik dhe nevoja për një rrethanë të re politike dhe një dinamizëm të ri politik e ka kërkuar një involvim të mëtutjeshëm, gjithmonë me qëllim në të mirë që të ndihmohet në procesin e marrëdhënieve të jashtme dhe pozicionimit të Kosovës në rrafshin diplomatik”, thotë ajo.

“Rrethanat që ndodhën ditëve të fundit mendoj se e kanë shpërfaqur edhe qëllimin e palës që ne e kemi në dialog. Në dialog shkohet kur kërkon paqe dhe stabilitet, ai është qëllimi dhe motivi i dialogut, i cili në këtë rast ka qenë i lehtësuar përmes ndërmjetësuesve, mirëpo rrethanat e reja dhe pozicionimi i institucioneve tona ka treguar një lexim të qartë të situatës ku motivet ishin për të krijuar një situatë e faktit të kryer, pra politikës së faktit të kryer qoftë përmes marrjes së Asociacionit si fitore politike dhe pastaj mos respektimit të pikave të tjera”, thotë ajo.

Ajo ka theksuar se ngjarjet e 24 shtatorit, e shpërfaqën fytyrën e vërtetë të Serbisë që e kemi në tryezë.

Statovci ka theksuar se çfarëdo përkëdhelje ndaj Serbisë nuk është që e largon nga influence ruse, ngase shton ajoe influenca ruse në Serbi është e domosdoshme për të krijuar një de stabilitet apo një vatër të re krize që do t`i hynte në favor asaj.

“Nëse rikthehemi në proces ne shohim që Marrëveshja e Ohrit, e cila u diskutua, po shihet se asnjëherë nuk e ka pasur garancën në respektimin e të gjitha pikave, aty kanë qenë edhe dilemat të cilat me kalimin e kohës u qartësuan dhe nuk janë më as dilema që përveç pikave që kërkoheshin vazhdimisht nga ana e Serbisë, nuk kishte asnjë garancë të mirëfilltë në kuadër të respektimit të pikave të tjera, dhe këtu ishin dilemat tona , pra në marrjen e një pozicioni pavarësisht vullnetit tonë që të kishim një marrëveshje për paqe dhe stabilitet. Në involvimin e presidencës dhe në shkuarjen e saj në SHBA , shohim se ka elemente të garancisë në dimensionin e sigurisë, gjithashtu edhe perspektiven e Kosovës në rrafshin diplomatik, në raport me njohjet, gjithashtu në anëtarësimin e organizatave të huaja të një rëndësie të veçantë”, tha Statovci.