Trajneri i mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli, ishte i ftuari i kësaj jave në emisionin “Blic Interview” me Astrit Gashin, ku foli për përshtypjet e para nga Kampionati Botëror dhe analizoi paraqitjet e kombëtareve në xhiron hapëse të garës.
Sipas Sokolit, është ende herët për të nxjerrë përfundime definitive, pasi ndeshjet e para nuk japin gjithmonë pasqyrën e plotë të forcës reale të skuadrave.
“Janë xhirot e para dhe është shumë e vështirë të analizohet gjendja e kombëtareve. Megjithatë, ajo që kemi parë deri më tani është se Argjentina, me Lionel Messin në krye, është jashtëzakonisht mirë e organizuar dhe e vendosur në fushë”, deklaroi Sokoli.
Ai veçoi gjithashtu paraqitjet pozitive të disa prej favoritëve tradicionalë për titull.
“Kemi parë Gjermaninë, Francën dhe Anglinë që kanë zhvilluar ndeshje të mira. Franca duket shumë e mobilizuar, por nuk ka një diferencë të madhe në raport me kombëtaret e tjera pretendente”, u shpreh ai.
Sokoli vlerësoi edhe performancat e tri vendeve organizatore të Botërorit – Meksikës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, duke theksuar se të gjitha kanë lënë përshtypje të mira në paraqitjet e tyre të para.
Sa u përket surprizave, trajneri kosovar përmendi disa rezultate që, sipas tij, kanë tërhequr vëmendjen që në start të turneut.
“Befasi e madhe mund të konsiderohet paraqitja e Kepit të Gjelbër. Po ashtu, rezultati në ndeshjen mes Katarit dhe Zvicrës, ku helvetikët u ndalën, ishte i papritur. Një tjetër surprizë ishte edhe humbja e Turqisë ndaj Australisë, sidomos pas serisë së rezultateve pozitive që turqit kishin regjistruar më herët”, theksoi Sokoli.
Në fund, ai nënvizoi se bëhet fjalë vetëm për rezultatet e xhiros së parë dhe se panorama e vërtetë e kampionatit do të qartësohet në ndeshjet e ardhshme.
“Po flasim vetëm për xhiron e parë. Tashmë mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat në vazhdim dhe cilat kombëtare do të konfirmojnë formën e tyre”, përfundoi Sokoli.
/GazetaBlic Sport/


