Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka folur për sfidat që e kanë shoqëruar ndërtimin e sheshit qendror të qytetit, një projekt që ai e cilëson si më të rëndësishmin në historinë urbane të komunës.
Në një intervistë për “Expose”, prodhim i Gazeta Blic, Latifi ka theksuar se qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka ndërprerë në mënyrë të njëanshme memorandumin e nënshkruar nga qeveria e mëparshme për bashkëfinancimin e projektit.
“Kur ka ardhë qeveria Kurti në pushtet, në mënyrë të njëanshme është shkëputur memorandumi i krijuar me ish-qeverinë dhe të gjitha mjetet financiare i sigurojmë nga buxheti i Komunës,” u shpreh Latifi.
Pavarësisht kësaj, ai tha se komuna ka arritur ta përballojë situatën me sukses, duke menaxhuar sfidat buxhetore dhe çështjet e pronësisë, për ta çuar projektin përpara.
“Ka qenë e kushtueshme, kemi pas probleme me prona, kemi pas edhe sfida buxhetore, por i kemi përballuar me sukses. Ky shesh na bën të krenohemi,” shtoi ai.
Latifi foli edhe për një nga pengesat më të mëdha që është dashur të adresojë: vendndodhja e sheshit, e cila më parë ishte fushë futbolli. Ai tha se është dashur një qasje e kujdesshme për të bindur komunitetin sportiv se fushës së vjetër i mungonin standardet moderne dhe se stadiumi i qytetit duhej të zhvendosej në një lokacion tjetër.
“Këtu ka qenë stadiumi i futbollit. Nuk ka qenë sfidë e lehtë sepse është dashur të binden sportdashësit se kjo fushë nuk i plotëson standardet e nevojshme dhe se stadiumi duhet të vendoset në një vend tjetër,” tha Latifi.
Për këtë qëllim, komuna ka ndërtuar një kompleks sportiv të ri, i cili është në fazën e transformimit në stadium modern. Ai njoftoi gjithashtu se është lidhur një kontratë e re për ndërtimin e tribunave në këtë kompleks, për ta kompletuar infrastrukturën sportive të qytetit./GazetaBlic/


