Komentatori i njohur i Radio Televizionit të Kosovës, Skyfter Blakaj, i ftuar në emisionin “Blic Interview”, prodhim i GazetaBlic, ka folur edhe për debatin e përhershëm mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, duke dhënë këndvështrimin e tij për dy prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë.
Blakaj vlerësoi se të dy janë lojtarë të jashtëzakonshëm, por theksoi se talenti natyror i Messit e bën atë të veçantë, ndërsa Ronaldo është shembulli më i mirë i punës, disiplinës dhe përkushtimit maksimal.
“Sipas meje, nëse e do futbollin me zemër, nuk mundesh mos me qenë me Messin. Ai e ka me të lindur, e ka prej natyrës”, deklaroi Blakaj.
Ai shtoi se rrugëtimi i Cristiano Ronaldos drejt majës është ndërtuar mbi punën e vazhdueshme, duke veçuar ndikimin që ka pasur Sir Alex Ferguson në zhvillimin e tij gjatë periudhës te Manchester United.
“Ronaldo, në anën tjetër, ka punu ekstremisht shumë, sidomos prej kohës që ka punu në Manchester United me Ferguson. Kur ka shkuar te Manchester United, ai ka qenë i lazdruar me driblime, por Ferguson i ka ndihmu në shumë aspekte”, tha ai.
Blakaj theksoi se profesionalizmi i Ronaldos vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm edhe në fund të karrierës së tij.
“Tani ai është 41-vjeçar dhe punon ende më shumë se krejt tjerët”, u shpreh Blakaj në “Blic Interview”.
/GazetaBlic/


