Analisti politik, Shemsi Jashari, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk ishte i kënaqshëm për asnjërën nga partitë.
Ai në një prononcim për dokumentarin Expose të Gazeta Blic, ka thënë se ky rezultat ka krijuar situatë të pasigurt për formimin e institucioneve.
“Një rezultat që nuk e kënaqi as partinë në pushtet por as partitë opozitare. LVV nuk arriti ta mbajë rezultatin që e kishte, pati një rënie bukur të madhe, por edhe partitë opozitare nuk është se i arritën pritjet, kemi një rritje solide të PDK-së, një rritje të vogël të LDK-së, dhe koalicioni AAK-Nisma që nuk pati rritje por ruajtje të rezultatit. Kjo ka krijuar situatë të pasigurt për formimin e institucioneve dhe po ashtu pozita e presidentit që është në fund të mandatit dhe me këtë rezultat rrezikojmë që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, është shprehur ai.
Jashari ka pritur rënie më të madhe të Vetëvendosjes dhe rezultat më të mirë për LDK-në e PDK-në.
“Ajo që kam pritur ka qenë një rënie më e madhe e VV-së për shkak të performancës që ka qenë jo e mirë, sidomos që në vitet e fundit ka pasur shumë skandale me ministra të përfshirë, andaj kam pritur rezultat më të ulët. Në anën tjetër kam pritur rezultat më të lartë të partive opozitare, ku PDK pati një listë me kandidatë që s’kishin asnjë problem me ligjin, një LDK që u reformua, një lidership i ri, listë bukur premtuese e kandidatëve por nuk arritën ta marrin rezultatin e synuar”, ka vlerësuar ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, rezultati ka pasur mesazh për VV-në, teksa shton se nuk ka as fitues të qartë e as humbës të mëdhenj.
“Mendoj që qytetarët e kanë dhënë një mesazh, VV-së i dhanë një mesazh që nuk janë të kënaqur me atë që ka bërë këtë mandat, 10 për qindëshi i rënies në votë është mesazh që nuk janë të kënaqur dhe kjo parti duhet të reflektojë. Partive opozitare iu dha mbështetje të vogël, po duket që elektorati ende është duke kërkuar në raport me ta, në kuptim të reformave dhe në kuptim të betejës politike në Kuvend. Nuk kemi fitues të qartë, nuk kemi as humbës në masë të madhe dhe ky balanc votash na sjell në situatë tjetër, se sa do të jenë partitë politike të gatshme për të ndërtuar institucionet dhe sa të qëndrueshme mund të jenë ato, pas një kombinimi që mund të vie në qeveri. Pozicionimet e tyre, diskursi problematik i Kurtit deri në ofendime japin përshtypje që nuk ka hapësirë për bashkëpunim me ndonjërën prej partive opozitare për t’i formuar institucionet, por nëse i referohemi të kaluarës, fjala ‘kurrë’ nuk përdoret, sepse kemi parë që janë harruar brenda natës sharjet e të gjitha, andaj nuk është e pamundur por duket bukur sfiduese që të kemi një kombinim mes VV-së dhe partive opozitare”, ka potencuar Jashari.
Por, cilët ishin faktorët që prodhuan një rezultat të tillë zgjedhor, sipas tij.
“Mendoj se janë dy faktorë, së pari qeverisja katërvjeçare, mungesa e rezultateve në zhvillim ekonomik, projekte kapitale, menaxhimit të institucioneve, depolitizimit të bordeve, kjo është një prej arsyeve, pastaj mos distancimi i kryeministrit ndaj zyrtarëve të lartë, ministrave, që u futën nën hetime dhe iu nrgitën aktakuza. Në vend që të distancohej që të ishte konform zotimit të tij para se ta merrte mandatin, se ne jemi të pakorruptuar, doli e kundërta, dhe kjo mungesa e performancës, një faktor që e ka bërë qytetarin që megjithatë kanë qenë premtime fushate por që nuk dolën të vërteta. Pastaj mos prezantimi i programit politik, marrja me ofendime, tetntimi për të nxitur reagime dhe një gjuhë edhe përçarëse, edhe nxitëse ndaj tensioneve, mendoj që i ka bërë qytetarët që ta kuptojnë që një mandat i tretë po kërkohet nga Kurti por nuk po ofron as llogaridhënie për atë që ka bërë në mandatin e kaluar, as çka do të bëjë në mandatin e ardhshëm. E gjitha ishte akuza ndaj kundërshtarëve politikë, herë ndaj njërit e herë ndaj tjetrit, të cilët nuk ia dhanë atë kënaqësi që të futen në diskursin e tij polarizues. Ai e tregoi ku qëndron”, ka deklaruar Shemsi Jashari./Gazeta Blic/