• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Si ndodhi afrimi me AAK-në dhe sa presin të fitojnë në zgjedhje? Flet Sherifi i Nismës

01/19/2024 22:34
nga:G B

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate ka folur edhe për kalkulimet për koalicion me AAK-në dhe se a e bënë këtë koalicion që ta kalojnë pragun zgjedhor e të jenë në Kuvend.

Ai thotë se koalicioni ka një tjetër qëllim, krijimi i një sienergjie.

“Nëse do të kishim kalkuluar në këtë mënyrë në vitin 2021, do ta kishim bërë edhe në vitin 2021. Por ne donim që të dilnim me alternativën tonë autentike, çka ndodhi? Ato katër mandatet e mëdha që do t’i takonin Nismës i morën partitë e mëdha, tre VV dhe një partia e dytë. Pra, kësaj radhe ne mendojmë se çdo votë kudo që është, jo vetëm e Nismës por e çfarëdo partie e të gjithë njerëzve që janë të revoltuar në Kosovë, duhet të bashkohen. Ne mendojmë se bashkimi i këtyre dy subjekteve do të krijojë një sienergji. Pra, nuk mendojmë vetëm të kufizohemi në shifrat matematikore të Nismës, ka Nisma 35 mijë, Aleanca 75 mijë, ja jemi 110 mijë vota. Nuk e kemi këtë qëllim. Qëllimi është që të shtrihet një lloj fronti, një lloj bashkimi i dy subjekteve në kuadër të një sienergjie, ta shndërronim në një shtrat ku mund ta shihnin veten shumë më shumë, se sa anëtarët, simpatizantët e votuesit e AAK-së dhe Nismës. Ideja është që të krijojmë një situatë të re, ku njerëzit thonë do t’i mbështes nëse shkojnë bashkë AAK me Nismën”, vlerëson ai.

Sipas Sherifit, koalicionet më herët janë bërë në momentin e fundit dhe s’ka pasur kohë për t’ia shpjeguar programin qytetarëve.

“Koalicionet zakonisht janë bërë një natë para zgjedhjeve ose pesë minuta në 12, pra nuk u është dhënë kohë votuesve që t’iu sqarohet ideja e lidhjes së koalicionit. Prandaj, që të lidhet koalicioni më herët është pikërisht në funksion të kësaj, që të mos i befasojmë zgjedhësit e anëtarët e partive, por të lidhim koalicion e tash e tutje t’i bëjmë detyrat e shtëpisë e të dalim t’ua shpjegojmë anëtarëve tanë. Kryesia e Nismës e ka votuar, kryesia e AAK-së ka votuar për, por na tash e kemi për detyrë të dyja palët të dalim në fshatin më të lartë të Kosovës, anëtarin e fundit ta informojmë për qëllimin e lidhjes së këtij koalicioni. Pra, kur ti u jep kohë zgjedhësve, ke kohë edhe të shpjegohesh dhe jo vetëm që e mban zgjedhësin që e ke pasur dikur por ke gjasa të mëdha që edhe të shtosh numër të madh të votave”, shprehet ai.

Zyrtari i Nismës kujton kur ishin në koalicion me AAK-në dhe PDK-në dhe përqindjet që kanë pasur.

“Nëse ju kujtohet koalicioni i parë Nisma-AAK, para se të bashkohej PDK në momentin e fundit, ka qenë i lidhur dy vite para zgjedhjeve dhe patëm arritur të krijojmë një raport jashtëzakonisht të afërt me anëtarët njëri me tjetrin AAK-Nisma. Ne kemi pasur një provë atëherë e anëtarëve dhe votuesve të dy partive. Dhe mendoj se e kaluara e përbashkët e z.Limaj dhe z.Haradinaj, si gjatë luftës, si pas luftës, gjatë qeverisjes e opozitë bërjes, është një nga anët që flet pozitivisht për lidhjen e këtij koalicioni. 18-20 për qind kemi qenë në koalicion AAK-Nisma, para se të bashkohet PDK”, potencon Sherifi.

Por, sa presin që të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme AAK-Nisma?

Sherifi nuk flet me shifra por pret që ta sheh fillimisht sa do të merret seriozisht koalicioni nga vetë të dy partitë.

“Nuk dua të flas sot me shifra sepse çdo koalicion hyn në garë për t’i fituar zgjedhjet. Nuk dua të flas tani për rezultate por dua ta shoh sa seriozisht do ta marrim ne vetë dy partitë koalicionin. AAK-Nisma është përsëritje i një historie të kaluar të përbashkët. Jam i bindur që ky koalicion do të arrijë të shndërrohet në një lum që do të thithë shumë lumenj më të vegjël, individë, fraksione, grupe të ndryshme të shoqërisë, ne do të flasim me të gjitha grupet e interesit të kësaj shoqërie. Vetëm në vendin tonë ndodh që nderohen të rënët e luftës, ndërsa nënçmohen e shahen bashkëluftëtarët e gjallë të tyre. Veteranët duhet ta kenë të qartë që kjo qeveri nuk ua ka shtuar mundësitë por vetëm ua ka zvogëluar. Ne si koalicion do të shkojmë dhe kërkojmë votues te ata që janë të përafërt me bindet tona politike, sesa kështu në përgjithësi të kërkosh vota nga i gjithë populli pa i treguar secilës kategori të shoqërisë se cila është oferta jote për të”, thekson Bilall Sherifi.

Ai flet edhe për largësinë që Nisma ka pasur me AAK-në që nga viti 2019 dhe tani afrimi që ndodhi.

“Po nuk kemi qenë as larg. Nuk kemi pasur bashkërendim po prandaj bëhet koalicioni, që të përafrohen qëndrimet. Ne në shumë pika kemi qëndrime të përbashkëta me z.Haradinaj. në ato që kemi dallime duhet t’i harmonizojmë, padyshim. Pra, ata të dy kanë hyrë në zotime reciproke, unë kam qenë aty në takim, asnjëri nuk do të bëjë diçka pa u harmonizuar me tjetrin, qoftë edhe kur bëhet fjalë për deklarata politike, për gjithçka do të koordinohen dhe unë kam shumë besim se kjo do të vazhdojë, do të mbahet ky zotim reciprok dhe jam i bindur se ky koalicion do të funksionojë shumë më mirë sesa koalicionet e tjera”, deklaron ai.

I pyetur nëse votuesit do t’i harrojnë largimet disavjeçare të dy partive, Sherifi thotë se tani kanë më shumë kohë që të shpjegojnë e dëshmojnë se janë afruar.

“Detyra jonë është që të shkojmë t’ua sqarojmë votuesve. Votuesi vetvetiu mund të mbajë një pozicion. Sikur të ishte bërë një javë para zgjedhjeve, do të ishte shumë e vështirë të shkohet te secili për t’u sqaruar. Kemi kohë mjaftueshëm. Zgjedhjet e rregullta janë në shkurt por ne jemi në vit zgjedhor, edhe në nëntor mund të quhen të rregullta. Mund të kemi zgjedhje të parakohshme, maj, qershor, shtator, por kurdo që të jenë ato, meqë e kemi filluar koalicionin në janar, konsiderojmë se kemi kohë të mjaftueshme të shpjegojmë dhe dëshmojmë që jemi afruar, sepse nuk mjafton vetëm të shkojmë të shpjegojmë por duhet dëshmuar çdo ditë, çdo hap, çdo takim, çdo veprim që do ta bëjmë, të dëshmojmë se jemi unifikuar edhe në ato pika ku kemi dalluar”, thotë ai për BlicInterview.