• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Shala: Asociacioni është pushtet i tretë, autonomi, u pranua nga Kurti – dokumenti i 2015-ës nuk është i ligjshëm

11/24/2023 22:02
nga:G B

Kujtim Shala, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës , në një intervistë për BlicInterview me Astrit Gashin, ka folur për situatën politike në vend, draft statutin e Asociacionin, dialogun me Serbinë, zgjedhjet në LDK, e shumë të tjera.

Sa i përket dialogut dhe udhëheqjes së tij nga kryeministri Kurti, Shala thotë se ky i fundit ka keqkuptime sa i përket këtij procesi.

Sipas tij, procesi ka ndryshuar, është ridefinuar.

“Në çështjet e diplomacisë dhe politikës së jashtme dhe vendet e mëdha dhe shumë të fuqishme nuk vendosin prioritete absolute. Mendoj se qeveritë duhet të përqendrohen në politikat e brendshme, ndërsa politikat e jashtme lidhen dhe përcaktohen nga të tjerët. Mendoj se Kurti ka pasur keqkuptime bazike me këto çështje dhe me procesin e dialogut. Mendoj që për një gjë ka pasur të drejtë, pra në atë që ka thënë se do të ndryshojë dialogun. Unë mendoj që dialogu ka ndryshuar, jo në kuptimin formal, pra jo në ecurinë formale, por në kuptimin e asaj që ka dhënë. Në këtë proces kryeministri i Kosovës dhe partnerët ndërmjetësit, bashkë me përfaqësuesit e Serbisë, janë marrë dhe me marrëveshjet të cilat ne i kemi arritur gjatë këtij procesi të dialogut, janë ridefinuar disa pika dhe është ridefinuar dialogu. Pra është ndjekur rendi formal i përfaqësimit por nga viti i kaluar kemi marrëveshje me Brukselin dhe aneksin e Ohrit, që është arritur brenda këtij procesi por që s’ka lidhje me ecurinë paraprake të procesit”, thekson deputeti i LDK-së.

Shala sqaron se çka nënkupton me ridefinim, derisa potencon se dokumenti i parimeve i vitit 2015 pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të konsiderohet si dokument i ligjshëm.

“Është i njëjti proces, i ridefinuar, me synime tepër të paqarta nga ana e Kosovës, me rezultate të paqarta dhe jo transparente, që tani dita ditës po qartësohen. Çka do të thotë ridefinim? Marrëveshja e Brukselit ka dy nene të preambulës, neni 6 dhe neni 7. Neni 6 përcakton detyrimet edhe përtej datës së marrëveshjes së Brukselit dhe neni 7 përcakton dy detyrimet absolute të asaj marrëveshje, gjë që e përsërit edhe aneksi i Ohrit. Ajo është çështja e themelimit të Asociacionit dhe statusi i Kishës Ortodokse Serbe. Ndërkaq, neni 10 u drejtohet marrëveshjeve paraprake si të veçanta. Pra ky është ridefinimi. Të gjitha marrëveshjet paraprake njihen nëse janë të ligjshme. Shembull, dokumenti i parimeve i vitit 2015 pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të konsiderohet si dokument i ligjshëm, por si i ligjshëm duhet të konsiderohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, sepse vetë dokumenti i referohet Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Kujtim Shala për BlicInterview.

Ai thekson se ai dokument s’ka pasur vlerë as para trajtimit nga Kushtetuese, pasi nuk është marrëveshje ndërkombëtare.

Shala thotë se Asociacioni do të thotë vetëmenaxhim, në thelb vetëqeverisje dhe më tej thotë se është autonomi.

“Ajo nuk ka pasur vlerë as para se ta trajtonte Gjykata Kushtetuese sepse dokumenti i parimeve i vitit 2015 nuk është marrëveshje ndërkombëtare. Atëherë është konsideruar marrëveshje, tekst që do t’i shërbente ekipit që do të kërkonte statutin e Asociacionit. Pra, që të mos i largohemi argumentit, janë të gjitha marrëveshjet në një vend dhe janë dy çështje, çështja e themelimit të Asociacionit, tani e ridefinuar dhe nëpërmjet një termi tjetër, vetëmenaxhim, që në thelb do të thotë vetëqeverisje dhe më tej do të thotë autonomi dhe çështja e statutit të Kishës Ortodokse Serbe, që në thelb i bie hapja e çështjes së Kishës Serbe, pasi ajo është zgjidhur me Procesin e Vjenës dhe është trajtuar me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Pra, në këtë kuptim, dialogu është tjetër dhe rezultatet e këtij dialogu sa i takon palës së Kosovës janë të tmerrshme, janë më të dëmshmet që do të mund të dilnin nga një proces i tillë”, deklaron nënkryetari i Kuvendit.

Anëtari i kryesisë së LDK-së potencon se sipas nenit 7 të  marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, Asociacioni është autonomi, është pushtet i tretë dhe këtë e ka pranuar kryeministri i Qeveria.

“Sepse më s’kemi të bëjmë me debatin e dialogut për një asociacion, për të cilin BE kishte garantuar se s’do të ketë kompetenca ekzekutive, pra që s’do të jetë një pushtet, por tani kemi të bëjmë, negociojmë dhe siç e dëshmon dhe draft statuti, dokumenti kryesor, kemi të bëjmë me nivel të vetëqeverisjes apo më ndryshe, autonomi, s’kemi të bëjmë me një organizim mbi bazën e asociimit vullnetar, por me një pushtet të tretë, të cilin e projekton neni i 7 i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Pra ky nuk ka qenë dialogu, nuk ka qenë i përqendruar te themelimi i një pushtetit të serbëve në Kosovë, as një pushteti të Serbisë në Kosovë, që e ka strukturuar draft statuti i Asociacionit, të cilin e kanë dorëzuar emisarët dhe të cilin kryeministri dhe Qeveria e kanë pranuar”, deklaron Kujtim Shala./Gazeta Blic/