I ftuar në emisionin Blic Interview me Astrit Gashin, ishte Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku thekson se në situatën e krijuar, dekreti i presidentes ishte i duhur, raporton GazetaBlic.
Sipas tij, edhe Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se deputetët kanë dështuar të respektojnë afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit, i cili parasheh që kjo të ndodhë 30 ditë para përfundimit të mandatit.
“Unë mendoj që presidentja e ka kry detyrën e vet, për shkak se edhe Gjykata Kushtetuese e konstaton që deputetët nuk kanë arrit me jep zgjidhje këtij problemi, pra deputetët kanë dështu me respektu atë afatin e skajshëm kohor të zgjedhjes së presidentit që është 30 ditë para skadimit të mandatit. Dhe ne besojmë që dekreti ka qenë i duhur për situatën që është kriju”, vlerësoi ai.
Ai theksoi se tashmë ekziston një interpretim i qartë ligjor dhe shprehu besimin se do të ketë vullnet politik për t’i dhënë vendit president.
Tutje ai shton se përgjegjësia politike është proporcionale, duke theksuar se barra kryesore bie mbi partinë që ka shumicën parlamentare.
“Tani kemi këtë interpretim dhe unë besoj fuqishëm që ka me pas vullnet nga të gjitha anat për me i jep vendit president. Unë mendoj që përgjegjësia politike është propocionale, partia që i ka 51% e ka përgjegjësinë kryesore politike që jemi në këtë situatë, tha ai.
Rukiqi shtoi se LDK-ja ka paraqitur argumente në mbrojtje të dekretit, të cilat sipas tij janë konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, duke theksuar se afatet kushtetuese janë norma të detyrueshme që nuk mund të shkelen.
Ai tha se procedurat tashmë janë të qarta “si kristali” për zgjedhjen e presidentit, por shtoi se problemi kryesor mbetet mungesa e vullnetit politik nga partia në pushtet.
“LDK ka parashtruar argumente që e mbrojnë dekretin dhe e ka konstatu gjykata, të njejtën e ka konstatu që asnjë rast tjetër nuk mund të ndodh që Kuvendi ti shkel afatet që janë norma taksative juridike. Atë procedurën tjetër që e kanë konstetu që deputetët duhet me qëndru në sallë e disa interpretime që janë absurde i ka konstatu po ashtu që nuk qëndrojnë. Nëse tani ka vullnet politik, sikur tani sikur pas 5 vitev kur të zgjedhet prap presidenti gjërat janë të qarta si kristali sa i përket interpretimeve dhe procedurave”, u shpreh tutje.
Sipas tij, nuk është parë seriozitet nga shumica parlamentare, e cila ka dështuar të sigurojë konsensusin e nevojshëm prej 80 votash, duke mos bashkëpunuar me opozitën për një proces që duhet të ishte normal politik.
“Ne nuk kemi pa vullnet politik të atij që e ka hisen kryesore në këtë proces, partisë në pushtet dhe partisë me numrin më të madh të deputetëve për me e zgjedh presidentin, për me i jep zgjidhje kësaj çështje që do duhej të ishte një proces normal politik ku një shumicë e cila e ka marrë legjitimitetin popullor me qeverisë e ka për detyrë që të krijojë balancë të pushtetit duke u ulë me partitë e opozitës me siguru atë 80 e famshëm për me i dhënë vendit president. Krejt cka kemi pa, kemi pa që nuk kanë qenë serioz në atë pushtet për shkak se e kanë lënë krejt në fund edhe janë pajtu për dicka tjetër”, përfundoi Rukiqi për GazetaBlic.


