Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ishte i ftuari i radhës në emisionin Blic Interview me Astrit Gashin, raporton GazetaBlic.
Ai ka deklaruar se me afrimin e afatit për zgjedhjen e presidentit, nuk ka ende sinjale konkrete për takime apo përpjekje serioze drejt një zgjidhjeje.
“Prej sot që po falsim janë edhe 32 ditë, nuk po e shoh që ka këto ditë ndonjë takim dhe nuk ka ftesë, nuk ka as komunikime që do ti paraprinin takimit. Deklarativisht nëse i dëgjon secilin thonë se ne jemi për me i jep vendit president por prej asnjërit nuk e dëgjova rrugën që do ta ndjekin, a do ta gjejnë ndonjë figurë konsensuale apo do shkojmë me marrëveshje politike, këtë nuk e thonë e thonë vetëm me terma të përgjithshëm që ne do ta bëjmë maksimumin”, u shpreh ai.
Rukiqi theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të mbajë qëndrim bllokues në këtë proces, duke shtuar se partia është e gatshme të kontribuojë me rolin e saj politik.
“Ajo që është me rëndësi me u theksu është që në anën tjetër vazhdon me mbet qëndrimi i njejtë. LDK nuk do të mbaj qëndrim bllokues, nuk kemi arsye që të mbajmë qëndrim bllokues. Sigurisht si e kemi ofru veten me 15 deputet po flasim, në krejt këtë lojë politike ne e kemi atë pjesën tonë, me aq sa kemi pjesën tonë ne kemi me u mundu me ofru alternativat tona por në anën tjetër imponim nuk do të pranojmë”, shtoi ai.
Ai shtoi se për LDK-në është thelbësore që presidenti i ardhshëm të jetë figurë unifikuese dhe balancuese e pushteteve, në përputhje me Kushtetutën.
“Mos maj linjë partiake dhe të jetë balancues i pushtetve, kjo është shumë me rëndësi. Pra një kandidat i cili sigurohet që do të jetë një lloj balanci mes pushteteve, kështu është i marum sistemi politik në Kosovë, prandaj kërkohen 80 deputet. Ne e dojmë një presidenet që e respekton Kushtetuten dhe e ka fuqin politike aq sa ja lejojnë ligji dhe Kushtetuta”, theksoi tutje.
Ndër të tjera ai shtoi se nuk ka kuptim që një qeveri me 51% të ketë edhe një president partiak apo të kontrollueshëm, i cili vihet në shërbim të nevojave të pushtetit.
“Presidenti ka kompetencat e veta, ne e dojmë një president që në mënyrë të pavarur prej partive politike i udhëheq politikat që i takojnë dhe e bën këtë balancin e pushteteve. Nuk ka kuptim kur një qeveri e ka 51% e pastaj të ketë edhe president partiak apo president i cili është i kontrollueshëm dhe në shërbim të nevojave të pushtetit”, përfundoi Rukiqi për GazetaBlic.


