Ëndërronte të ishte student i mirë dhe të luante në kitarë, të cilën e kishte pasion. Por, në vend të kitarës, edhe pse në moshë shumë të re, ai mori armën, për ta luftuar armikun, në një luftë të imponuar për shkak të agresorit serb. Ridvan Tahiri, ish luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mori parasysh vdekjen derisa doli në vijën e parë të frontit, fillimisht në Llaushë të Skenderajt, në fshehtësi të plotë nga familja, e cila u njoftua më vonë se djalin e kishin luftëtar, pjesë të grupit të Llaushës.
Ai në një rrëfim për dokumentarin Expose të Gazeta Blic, ka rrëfyer kohën e luftës, humbjen e shokëve të luftës, dhimbjen e krenarinë për luftën, pamundësinë për të ndihmuar familjen Jashari dhe mungesën e bashkëluftëtarëve që sot nuk jetojnë por që i kujton me mall.
Tahiri po ashtu ka treguar dhe për punën e tij vullnetare prej 7 vitesh për të gjetur njerëz që zhduken, në zona të rrezikshme ku ka edhe mina.
Thotë se Kosova nuk është ajo që kanë ëndërruar, derisa gjendja e muajve të fundit e përçarjes dhe ofendimeve thotë se mund ta detyrojnë të bëjë atë që nuk e kishte menduar kurrë, të largohet nga Kosova.
Se do të kishte luftë kishte menduar, por jo edhe se do të duhej të luftonte.
“Ideja nuk ka qenë për të hyrë në luftë, as unë s’e kam pasur idenë se një ditë do të jem pjesë e luftës. Ideja ime ka qenë gjithmonë që të jem student i mirë dhe në vend të pushkës gjithmonë kam ëndërruar ta kem kitarën. Duke e pasur parasysh se jemi rritur në një regjion që ka qenë gjithmonë i shtypur, siç ka qenë Drenica, po ashtu kanë qenë edhe Dukagjini, Llapi, nuk kemi mundur të zhvillohemi as në arsim për arsye të pushtuesit serb në atë kohë, lufta na është imponuar, po flas për vete dhe shumë shokë të mi që i kam pasur përreth, nuk e kemi pasur as idenë se një ditë do të futemi në luftë, në fakt, sipas situatave që kanë qenë në Drenicë e kemi ditur se një ditë do të kemi luftë por jo se do të jemi pjesë e luftës. Ka qenë ajo shtytja agresori, dhuna psiqike e fizike e edhe vrasjet, që na kanë detyruar t’i kapim pushkët, në vend të atyre veglave”, ka thënë ai.
Ndonëse e ka ditur se në luftë mund të vritej, ndihej krenar se mund t’i dilte përpara armikut.
“Kur ta bësh hapin e parë për të dalë në atë kohë, e ke ditur se të pret edhe plumbi, se mund të mos i kthehesh i gjallë familjes. Ndjenja ka qenë se më erdhi dita të paktën armikut t’ia bëj me dije se që nga sot nuk mund të lëvizësh i lirë siç ke lëvizur deri tash, kjo ka qenë ajo ndjenja”, është shprehur Tahiri.
Lëvizjet thotë se i bënte natën vonë, teksa ndjenja më e veçantë thotë se ka qenë dalja publike e UÇK-së. Ai kujton natën kur u kthye në shtëpi dhe disa orë më pas të gjithë ishin të rrethuar, ndërsa totalisht e blinduar ishte lagjja e Jasharëve.
“Familja nuk ka qenë në dijeni deri vonë, deri pas vrasjes së Bacit Adem. Unë fillimisht një pjesë të madhe të kohës e kam kaluar në Llaushë, te tezja, në lagjen e Zajnullahëve, një pjesë tjetër të rinisë e kam kaluar me shokët e mi të rinisë te lagjja Haziraj në Llaushë dhe ne kemi bërë gjithmonë lëvizje natën, s’kemi pasur edhe aq shumë armë, po flas për periudhën 97-98, duke shikuar çdo hyrje dalje, mos po futen forcat serb. Ndjenja më e veçantë ka qenë dalja publike për herë të parë e UÇK-së, me heroin e kombit Mujë Krasniqin, Daut Haradinajn e Rexhep Selimin, pas asaj shfaqje, edhe pse ishim pjesë e varrimit të mësuesit Halil Geci, jemi kthyer në pjesën veriore në Llaushë te lagjja Haziraj dhe kemi vendosur që edhe ne të dalim publikisht të nesërmen, disa me maska, disa pa maska, disa me armë, disa pa armë, edhe kemi vazhduar ashtu deri natën kur është rrethuar lagjja e Jasharëve. Unë pikërisht atë natë kam shkuar nga Llausha në Skenderaj që t’i vizitoj prindërit dhe më zë ofensiva e Jasharëve ku dhe jam detyruar t’i tregoj babës se jam pjesë e grupit të Llaushës. Aty e kanë marrë vesh”, ka rrëfyer ish ushtari.
Ridvan Tahiri apo Riki siç e quanin, kujton buzëqeshjen përplot krenari të babait kur i tha se ishte pjesë e grupit të Llaushës dhe frikën e nënës.
“Siç e kemi zakon nga ana e Drenicës, me një familje me 5 vllazën e shumë djem të axhës, mos me pas 1-2 në luftë, nuk do ndihej as babai im mirë ose nëna. Baba ka buzëqeshur, e kam ditur se është krenar me atë që i tregova, secila nënë ka vuajtur si nënat që vuajnë më shumë për fëmijët e tyre, nëna nuk e ka pritur mirë sepse kam qenë shumë i ri, po e kam disi, siç thotë një fjalë ‘u harrnuam diqysh dhe ia dolëm”, ka deklaruar Ridvan Tahiri./Gazeta Blic/


