Nga datat 19 deri më 24 maj të vitit 1999 në Kosovë ndodh një nga masakrat më të tmerrshme të kryera nga forcat serbe, masakra në Burgun e Dubravës.
Duke synuar forcat jugosllave dhe serbe, NATO-ja bombardoi burgun më 19 maj dhe 21 maj 1999.
Nga 22 maj e në ditët në vazhdim forcat serbe të sigurisë rreshtuan afërsisht 1,000 të burgosur në oborr dhe qëlluan mbi ta me snajperë, mitralozë dhe granata nga muret e burgut dhe kullat për roje duke lënë të vrarë mbi 160 të burgosur shqiptarë e plagosur mbi 300 të tjerë.
Të burgosurit u vranë dhe u ekzekutuan pa ndonjë urdhër gjyqësor.
I mbijetuar i kësaj masakre ishte dhe ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nijazi Kryeziu.
Aktivisti e ish- i burgosuri politik, Nijazi Kryeziu, vjen në një rrëfim emocionues, të padëgjuar më parë për dokumentarin ‘Expose’ rreth fillimeve të veprimtarisë së tij, angazhimit në luftë, torturave çnjerzore të përjetuara në burgje e veçanarisht në Burgun e Dubravës.
Me një emocion dhe krenari që shpërfaqet vetëm tek njerëzit që kanë shkruar historinë me angazhimin e tyre, Kryeziu, përshkruan me detaje, se si nisi gjithçka në angazhimin e tyre për vendin.
Kryeziu tha se pas përgatitjes, grumbullimit të armatimit, kontakteve me celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare në fillim të prillit të vitit 98-të së kanë udhëtuar që t’i bashkohen UÇK-së në zonën e Drenicës ku tashmë lufta kishte nisur.
“Ne kemi qenë aktivistë të Unionit të Pavarur të Shkollës së Lartë petagogjike në Prizren, kemi qenë Këshilli Organizativ dhe Unioni. Ne nuk i kemi ndërprerë protestat prej 1 tetorit 97-tës deri në pranverë. Në fund të 97-tës kemi vënë kontakte me njerëz, të cilat kanë qenë celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komplet ish-Kryesia e Unionit jemi angazhu që të bëjmë shtrirjen, rekrutimin, grumbullimin e armatimit dhe të marrim instruksione nga njerëzit me të cilët ishim në kontakt. Në fillim të Prillit 98-të, kemi udhëtu fizikisht të gjithë që të jemi pjesë e UÇK-së në zonën e Drenicës”
Kryeziu me stoicitetin që e karakterizon tregon kalvarin e vështirë dhe që i ka lënë gjurmë të pashlueshme në jetë, burgosjen e tij.
Si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai së bashku me luftëtarë të tjerë burgosen me 23 maj të vitit 98 dhe me 11 shtator të atij viti dërgohen në ‘Burgun e Nishit’ deri në vitin 1999.
Në vitin 1999, Kryeziu tregon se së bashku me 250 të burgosur të tjerë i vendosin në ‘Burgun e Dubravës’.
Ai tregon se nga masakrat e kryera në Burgun e Dubravës ndërmjet datave 19-24 Maj 1999 ai së bashku me shumë shokë të tij përjetuan trauma të tmerrshme.
“Ne jemi burgos me 23 maj të vitit 98-të, si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jemi dënu me 11 gusht në 98-tës ndërsa me 11 shtator jemi dërgu në Burgun e Nishit deri në vitin 1999. Në prill të vitit 1999, na kanë kthyer për çështje sigurie nga Burgu i Nishit, jo vetëm ne por mbi 250 të burgosur në Burgun e Dubravës. Aty kemi qëndruar deri në Maj, në fakt me 19 Maj kanë filluar bombardimet e NATO-s dhe prej 19 maj deri me 24 Maj ka viju çdo ditë dhe çdo moment ekzekutimi i skenarit të masakrës së Dubravës ku unë dhe shokët e mij kemi qenë po në atë burg dhe natyrisht që kemi humbur shumë shokë, shumë shokë janë plagosur dhe kemi përjetu trauma të tmerrshme”
Ish-i burgosuri dhe i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Nijazi Kryeziu, torturat dhe krimet e kryera në këtë burg i krahason me ato të kryera në kampin famëkeq të Aushvicit.
Ai potencoi se në këtë burg ka dominuar sjellja shtazarake dhe urrejtja, veçanërisht ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ka qenë gjendje lufte dhe gardianët e kanë përdorur një parullë të vetën ‘Tani nuk ju rrahim por ju vrasim”. Kanë qenë, mund t’a krahasosh lirisht me ‘Aushvic’ sepse nuk ke qenë i burgosur nën tretmanët e Konventave për të Drejtat e Njeriut… aty ka dominuar vetëm sjellja shtazarake dhe urrejtja ndaj nesh specifike sidomos për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” deklaroi Kryeziu për dokumentarin “Expose” raporton “Gazeta Blic”.


