• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Puna e Qeverisë Kurti ka sjellë negativitet në koston e jetës së qytetarëve të Kosovës, thotë Zemaj

04/14/2023 21:01
nga:Astrit Gashi

Deputeti LDK-së, Armend Zemaj, i ftuar në BlicInterview me Astrit Gashin, ka folur edhe për punën e Qeverisë të kryesuar nga Kryeministri, Albin Kurti, duke theksuar se puna e kësaj qeverie ka sjellë negativitet në koston e jetës së qytetarëve të Kosovës.

“Ne nuk po themi se nuk ka pasur rritje të çmimeve në spektrin global. Por shtetet që janë me përgjegjësi të plotë kanë ndërmarrë masa, për me i dalë në ndihmë qytetarit. Qeveria jonë fare pak ka marrë masa. Ju e dini po flasim për dy vite të kësaj Qeverie. Cili është efekti i subvencionimit të rrymës që ka bërë Qeveria? Cili është efekti i subvencionimit? Mua më ka subvencionuar, por mua më ka shtrenjtuar tarifën për me paguar për serbët në veri. Më shumë se 100 milionë euro. E para. E dyta, subvencionimi ka ndodhur në kurriz të rritjes së energjisë elektrike. Pse po e them këtë? Sepse e kemi theksuar, e kemi dëshmuar dhe e kemi shqyrtuar edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Muajt e verës, kur është është dashur që ato njësi të shkojnë në remont, Qeveria për shkak të shtyrjes dhe bërrylave për tenderomani, e cila doli në sipërfaqe edhe në Komisionet hetimore, ne në muajt e verës importuam rrymë”, tha Zemaj.

Në konstatimin se Qeveria ka ndalur tenderat për të ndalur rrjedhën buxhetore, Zemaj tha se kjo nuk është e vërtetë.

“Tenderat i kanë ndalur me udhëzime të militantëve, ekspertë gjoja të Lëvizjes Vetëvendosje, ku brenda muajit ne kemi paguar më shumë se katër milionë euro shtesë. Nga kjo papërgjegjësi, ju kujtohen ato lojërat me turbinat, bojlerat dhe filterat. E para, e dyta, në vitin 2021, 155 milionë euro ka importuar energji elektrike kjo Qeveri. 113 milionë më shumë se në vitin 2020. Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar se janë rritur çmimet, por kjo ka ndodhur nga paaftësia për të menaxhuar krizën, nga pa-përgatitja, për të cilën ne tash këtë kosto jemi duke e paguar në dy vite në vazhdimësi. Dhe tani kemi shtrenjtimin e radhës prej 15 për qind, kur kemi stabilitet në rajon. Pse nuk është rritur në shtetet e rajonit. Rritja e çmimit është duke u paguar për vitin e kaluar, ndërsa subvencioni proklamohet që bëhet për këtë vit. Dhe kjo është loja me statistika, lojë kjo në dëm dhe në kurriz të qytetarëve të Kosovës”, tha Zemaj.

Deputeti i LDK-së theksoi gjithashtu se rrjedha e buxhetit do të ishte parandaluar, po të kishim institucione efikase.

“Një vit nuk ka pasur OSHP. Të gjitha projektet janë bllokuar. Në mungesë të OSHP-së kanë shkuar në tendera njëburimor. Është Qeveria e vetme në mesin e të gjitha qeverive të pasluftës që ka numrin më të madh të tenderëve njëburimor. Të tenderëve të negociuar, unë me ty, e ti me mu, pa transparencë, pa shpallje publike. Dhe ky është keqpërdorim, është abuzim me fondet publike”, tha Zemaj.

Në konstatimin se Qeveria po këmbëngul se një pjesë e tenderëve njëburimor është trashëguar nga qeveria e kaluar, Zemaj tha se kjo nuk është e vërtetë.

“Pjesa e trashëguar është subvencionuar me ligjin për mbështetje, 10 apo 15 për qind, sa ka qenë. Dmth dyfish, dhe ju e patë bilancin bankar, 84 milionë ishin avance. Dhe paramendoni 84 milion, cila qeveri i ka lëshuar para avanc? Unë nuk po gjykoj, as nuk po paragjykoj, por përgjigjën më të mirë duhet ta japin organet e drejtësisë”, tha Zemaj.